Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Parku dhe Qytetarët/ Bashkia: Projekti është i mirë, por i keqkuptuar

Parku dhe Qytetarët/ Bashkia: Projekti është i mirë, por i
Ndërtimi i parkut të lojërave për fëmijë, në zonën e Parkut Artificial të Tiranës, ka shkaktuar protesta të shoqërisë civile që kërkojnë mos ndërtimin e tij. Ky debat  përfshiu edhe emisionin  “Dritare me Rudinën” , ku u diskutua mes përfaqësuesve të protestuesve dhe Bashkisë së Tiranës, mbi realizimin e këtij projekti.

Joni Baboçi nga Bashkia e Tiranës tha se ky është projekti  synon që ta bëjë këtë park më të përdorshëm për njerëzit, duke siguruar që në hapësirën e 4000 metra katrorëve, nuk do shkulet asnjë pemë por do zhvendosen tre të tilla.

“Projekti është keqkuptuar sepse është një nga projektet e para që kemi ndërmarrë dhe normalisht që duhet të ketë reagim. Ne jemi duke shpërndarë informacionin për të sqaruar projektin. Ka impakt të madh, krijon një hapësirë që ka vlerë. Do jetë një projekt me fonde publike,që kap vlerën e 74 milionë lekëve. Nuk ka asnjë element privat, është pa kafe dhe pa restorante”, u shpreh Baboçi.

Ervin Goci, pedagog i Gazetarisë,  shprehu shqetësimin e ndërtimit të këtij projekti në atë zonë. Sipas tij ndryshimi është rrënjësor dhe çështja është nëse duhet bërë ai ndërtim në atë zonë pasi ajo pjesë është e paprekshme.

“Bashkia e Tiranës nuk ka transparencë me qytetarët, ngatërresa e madhe e Bashkisë është se ngatërrojnë median me debatin publik, ku debatohet shumë muaj më para, dhe jo të futet si fillim e pastaj thotë të flasim...Për ne nuk është profesion protesta apo që kemi kohë për të humbur me protesta.  Uroj që publiku ta kuptojë që ne nuk e kemi luksin e humbjes së 4000 metra katrorëve, se nuk jetojmë në Hollandë. Problemi duhet filluar nga koka, nga ligjet dhe pse jo të bëhet një referendum për ndryshimet që mund të bëhen. Kësaj i them demokraci”, u shpreh Goci.

Eduart Zaloshnja shprehu shqetësimin e tij si prind dhe qytetar për mungesën e një parku lojërash për fëmijët. Çuditem si nuk ka pasur njeri që ka protestuar deri tani për kafenetë te Liqeni.

“Unë dua që kur ta çoj djalin tim te Liqeni të ketë diçka me çfare të luaj, sepse vetëm  guralec ka. Si prind do të doja që te Parku i Liqenit të ketë një park lodrash”, tha Zaloshnja.

Aktivisti Eljan Tanini u shpreh i sigurt në vazhdimin e kësaj kauze pa e politizuar atë.

“Do dalim ta mbrojmë parkun, janë disa njerëz që ndërmarrin këtë veprim. Nëse pjesëtarët e PD-së, vijnë në protestën tonë, do të jem i pari që do hedh vezë dhe tortë mbi ta. Unë nuk jam fytyrë e PD”, u shpreh Tanini.