Panairi i vogëlusheve/ Biskota për bamirësi
Dritare.net
Qendra rinore "Epoka e re" organizoi në Fier Kampin Veror për Vajzat Skaute. Pjesë e tij ishin 16 vajza të moshës 6 -12 vjeç. Qëllimi i kampit ishte fuqizimi i vajzave të vogla dhe aktivizimi i tyre në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore. Pjesë e këtij kampi ishte edhe panairi i ëmbëlsirave. Vogëlushe të veshura me bluza të bardha, gjithë entuziazëm shitën biskota për bamirësi.
"Ne ia kaluam shumë mirë në kamp. Luajtëm, kënduam, vizatuam, bëmë kartolina, por edhe mësuam shumë lojëra të reja. Ne mësuam shumë gjëra edhe për vajzat skaut, mësuam si të punojmë në grup, si të bëjmë shoqe të reja", tregon njëra nga vajzat.
Aktiviteti u zhvillua nga data 5 deri në 8 shtator. Nevila Jahaj, drejtuese e kësaj qendre rinore, tregon se si lindi ideja e këtij aktiviteti.
"Unë jam nënë, kam dy vajza dhe do doja t’ua mbushja ditën vajzave të mia, pse jo edhe të tjerave. Kampi është pjesë e një programi të gjerë që u soll në Shqipëri para një viti e gjysmë nga ambasada Amerikane. Ishte më shumë një nevojë që kishim ne, si nëna për vajzat tona, pasi në Fier nuk është organizuar pothuajse asnjë akivitet për vajzat e vogla" tregon ajo.
E pyetur për fatin e të ardhura të mbledhura nga ky panair, Nevila thotë: “Janë hedhur disa ide: njëra është për blerjen e një peme dhe mbjelljen e saj në parkun që bashkia po rikonstrukton. Një tjetër ide është blerja e ndihmave ushqimore për shtëpinë e të moshuarve, por gjithsesi vendimi se si do të shpenzohen, do të vendoset nga vetë vajzat.”/ Dritare.net