
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë në mesditë një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të Fierit. Flakët janë përhapur drejt zonës së Liqenit të Levanit, duke iu afruar rreth 200 metra disa objekteve.
Një banesë është djegur, ndërsa disa të tjera, lokale dhe një karburant ndodhen në rrezik. Për shkak të situatës, kanë nisur evakuimet dhe raportohet se të paktën 7-8 familje janë larguar nga zona. Pronarët e lokaleve kanë nxjerrë stafin, klientët dhe pajisjet nga ambientet.
Era e fortë favorizon përhapjen e flakëve, ndërsa terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Në zonë po ndërhyhet edhe nga ajri me dy helikopterë. Qarkullimi në aksin Fier-Levan është vështirësuar, ndërsa është ndaluar edhe lëvizja e trenit të mallrave.
Ndërkohë, situata paraqitet e rënduar edhe në veri të vendit. Në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në njësinë Ungrej të Lezhës, raportohen rreth 10 banesa të djegura, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe kasolle me bagëti. Zjarri ka përshkuar rreth 200 hektarë pyje dhe është përhapur edhe në territorin e Vaut të Dejës, ku janë djegur tre banesa të pabanuara.
Për shkak të terrenit të vështirë, Bashkia e Lezhës ka kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopterë. Një tjetër vatër vijon aktive në Malësinë e Kurbinit, ndërsa në Greps të Niklës, në Krujë, zjarri në një zonë pyjore po favorizohet nga era./dritare.net