Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Paketa fiskale 2027/ Malaj: Monitorim i fortë për uljen e çmimeve, taksë shtesë për apartamentet bosh!

Paketa fiskale 2027/ Malaj: Monitorim i fortë për uljen e

Qeveria do të ushtrojë kontrolle strikte madje po shqyrtohet mundësia që Bordi i Transparencës për hidrokarbureve të ekzistojë gjithmonë, në mënyrë që të reflektohet ulja e çmimit pas zhvendosjes së taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit.


“Ka disa mekanizma që po shqyrtohen nga qeveria. Së pari po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve që do të monitorohet për reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit me 32.4 lekë. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve”, tha Malaj.


Në komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave Petrit Malaj teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për paketën fiskale, tha se monitorim të shtuar do të ketë edhe për produktet ushqimore. Janë 54 produkte që konsumatorëve shqiptarë duhet t’u kushtojnë më pak nga janari i 2027-ës, vetëm prej uljes së TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%.

Paralelisht po përdorim edhe teknologjinë për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja”, tha Malaj.


Ministri hodhi poshtë edhe pretendimet se rritja e TVSH-së standarde me 1% do të sjellë më shumë para në buxhet se ulja e TVSH-së për ushqimet?

“Rritja e TVSH-së standarde mundohet të kompensojë uljen e TVSH-së që ne do të bëjmë për produktet e shportës, dhe nuk e mbulon plotësisht. Rritja e TVSH-së në 21% sjellë 10.6 miliardë lekë në buxhet, dhe nga ulja e TVSH për ushqimet, humbja është 12.8 miliardë lekë”, tha Malaj.
Qeveria po përgatit ndryshime në ligjin për taksat vendore për të vendosur një taksë shtesë për apartamentet bosh në Tiranë. Masa pritet të prekë rreth 40 mijë prona dhe synon të frenojë informalitetin në tregun e qiradhënies

“Edhe në ligjin për taksat vendore do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatshkurtër, ose do ta deklarojë bosh dhe do të paguajë taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, tha Malaj.


Për të identifikuar të ardhurat e padeklaruara, Ministria e Financave po punon për sigurimin e të dhënave nga platformat Airbnb e Booking, si dhe për marrjen automatike të informacionit nga bankat.

“Ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që marrin nga këto platforma, por jo vetëm, edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që marrim këtë informacion nga bankat, do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që marrin këta individë”, tha Malaj.


Ndërsa PD ngriti shqetësimin se bastet sportive vijojnë në informalitet dhe nuk sjellin të ardhura në buxhet, Malaj tha se hapja e tyre online do të presë një tjetër rishikim të ligjit për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.