
Nga Adrian Thano
Vdekja e papritur e Artur Zhejit është një nga ato lajme që të ndal frymën për një çast. Jo thjesht sepse u shua një njeri i njohur në botën e medias, por sepse u shua dikush që ishte aktiv, i pranishëm, që shkruante, fliste, debatonte deri dje, dhe sot nuk është më.
Nuk kisha miqësi personale me të, dhe shpesh nuk ndaja të njëjtat bindje, por ndjej detyrim ta them sot që vdekja është kufiri i madh që na barazon të gjithëve. Dhe ndoshta pikërisht për këtë duhet të mësojmë të jemi pak më të kujdesshëm me njëri-tjetrin sa jemi gjallë.
Shoqëria shqiptare është e ashpërsuar, e përçarë, e lodhur. Media është kthyer në një ring, rrjetet sociale në një fushë gjykimi pa mëshirë. Ky trishtim që na vjen nga largimi i një figure si Zheji, duhet të na shërbejë si kujtesë kolektive: nuk ia vlen të shahemi kaq rëndë përditë, nuk ia vlen të hedhim kaq shumë baltë. Të mos harrojmë se secili nga ne sot është, nesër nuk është.
Gazetarë, analistë, qytetarë të thjeshtë, politikanë – jemi të gjithë të njëjtë përballë kësaj të panjohure që na pret. Jeta është e brishtë dhe e përkohshme. Tepër e shkurtër për t’u shpenzuar në kaq shumë përbuzje.
E ndjej këtë boshllëk e këtë thirrje edhe më shumë, sepse gjatë këtyre viteve kam humbur shumë bashkëpunëtorë të çmuar të gazetës DITA – njerëz me mendim të thellë, penë të rrallë dhe shpirt qytetar si Moikom Zeqo, Arben Duka, Shaban Murati. Secili prej tyre la gjurmë të forta, jo vetëm në faqe gazetash, por në vetë ndërgjegjen publike. Me ikjen e tyre, u zbeh një dritë që ndriçonte debatin, kulturën, po edhe shpirtin kritik të kësaj shoqërie.
Këto mungesa dhe së fundmi Zheji më kujtojnë sa të përkohshëm jemi të gjithë. Dhe sa shumë kemi nevojë të jemi më të butë, më falës, më pranues ndaj njëri-tjetrit. Një ditë nuk do na mbetet gjë më e vlefshme sesa mënyra si jemi sjellë me njerëzit përreth nesh.
Pak më shumë ndjeshmëri, më pak arrogancë, më shumë mirëkuptim dhe ndalim të gjykimit të nxitimshëm do t’i bënte veç mirë një shoqërie si e jona, ku shpesh dominon polarizimi, përçmimi, cinizmi dhe përçarja.
Ndërkohë, ka edhe një arsye më shumë për ne shqiptarët që të përpiqemi të kemi pak më shumë njerëzillëk me njëri-tjetrin. E dimë të gjithë – jashtë nesh, e rrotull nesh, nuk është se na duan shumë. Historia jonë, pozicioni ynë, paragjykimet që përballim – të gjitha këto na bëjnë shpesh të ndjehemi të vetmuar si popull. Nuk na duan, po ne nuk duam as veten. Kjo është e rëndë për t’u mbajtur kaq gjatë. A e kemi luksin të jemi kaq armiq me veten? Nuk po flas për virtyt apo dashuri nëse jeni velur me këto fjalë, por së paku për mbrojtje.
Sot, me respekt për kujtimin e Zhejit, e ndjej të nevojshme këtë thirrje të heshtur për më shumë mirësi. Ky është ndoshta, nderi më i madh që mund t’u bëjmë edhe të ikurve tanë./dritare.net

















