
Nga Mero Baze
Rikthimi i opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore dhe neutralizimi përpjekjeve të Ilir Metës për të shkëmbyer Reformën Zgjedhore me “reformimin” e Reformës për Drejtësi, është fitorja e parë diplomatike e ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim.
Dy ditët e fundit, pas “shkakut” që u dha Edi Rama me shembjen e Teatrit Kombëtar, po ngjizej një plan i ri bojkoti, i ngjashëm me atë të vitit 2017 dhe 2019.
Ilir Meta tentoi të marrë mandatin e opozitës për të negociuar në emër të tyre Reformën në Drejtësi dhe për të bllokuar Reformën Zgjedhore, ndërsa shumica në pushtet, dukej se kishte pak gjëra për t’u ofruar t’i rikthente në tryezë.
Aksioni diplomatik i ambasadores së SHBA, e cila 24 orët e fundit është sjellur si një mësues që jo vetëm u jep detyrat e shtëpisë, por dhe i kontrollon çdo orë deri ku kanë shkuar, duke i detyruar një për një me zë dhe figure, të pranojnë rikthimin tek tryeza zgjedhore për të mos përsëritur skenarin tashmë të njohur të lënies së saj për javën e fundit, pastaj braktisjen e saj dhe nxjerrjen e arsyeve të reja për të mos shkuar në zgjedhje, por për t’i negociuar ato në tavolinë.
Pasi i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama dy ditë më pare të mos provokojë opozitën dhe t’u ofrojë atyre bashkëpunim, duket se puna individuale me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, ndryshoi qëndrimet e tyre 180 gradë për disa orë.
Akoma më e rëndësishme është se ky ndryshim erdhi përkundër vullnetit të kundërt publik të Ilir Metës, që duket se është rikthyer në orët e tij të turbullta, kur shikon filma me diversantë ndërkombëtarë, që duan ta vrasin. Dhe s’di pse i është fiksuar që po e vranë, ai është duke dhënë jetën për kombin shqiptar.
Në të njëjtën gjatësi vale me SHBA ka qenë ambasadori Soreca dhe ambasadorët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, dhe kjo e ka forcuar dhe më shumë aksionin diplomatik të Yuri Kim.
Është hera e parë që një diplomat amerikan, e ka kapur në kohë çelësin e krizave elektorale në Shqipëri, duke mos e lënë të përsëritet filmi 20- vjeçar i zvarritjes së reformës zgjedhore derisa të digjen afatet dhe nxjerra e pretendimeve të reja për marrëveshje politike në tavolinë.
E ardhur në këtë detyrë pas ambasadorit Lu, i cili nisi dhe çoi deri në miratim reformën në drejtësi, ambasadorja Kim do të duhet të merret me problemin e reformës, me kurthet e vogla që i kanë ngritur asaj të dy palët, me fashën e njerëzve që duhet të përzgjidhen, e deri me procedurat kafkiane të bllokimit që po përdoren për të mos plotësuar deri në fund Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Alarmi i saj dhe ambasadorëve të tjerë të Perëndimit, kur panë se si 48 orët e fundit axhenda politike po devijonte për të kushtëzuar reformën në drejtësi me atë zgjedhore, u bë shkak i një postimi të ashpër të saj, të cilit u detyrua t’i përgjigjej menjëherë Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ky i fundit me një tekst, ku ishte lodhur të mos kuptohej çfarë mendonte.
Por për 24 orë situate ndryshoi. Jo se këtë radhë Lulzim Basha nuk do të kërkojë përsëri pazar për zgjedhjet, apo nuk do tentojë ta bllokoj reformën. Por së paku këtë radhë ai dhe Edi Rama janë nën vëzhgim të rreptë për të kuptuar kush kërkon t’u devijojë parimeve të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore, dhe pastaj kush ka vullnet për të ecur më tej, deri tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, që është kthyer në një obsesion kombëtar, si shkaktar i zgjedhjeve të këqija në vend.
Tani prozhektorët janë zhvendosur nga gërmdhat e Teatrit, tek reforma zgjedhore. Dhe vështirë t’i fikë dikush, pasi duket që çelësin e dritave po e mbajnë në duar, ata që nuk ua merr dot as Rama, as Basha. Aq më pak Berisha e Meta./GazetaTema

















