Magnezi, minerali i momentit: Marketing apo çudibërës!
Dritare.net

Është cilësuar si “minerali i momentit”. Miliona njerëz në mbarë botën po marrin suplemente magnezi për arsye nga më të ndryshmet — për gjumë më të mirë, për tretje më të lehtë, apo për të qetësuar mendjen e lodhur.
Në botën gjithnjë e më të shpejtë të suplementeve ushqimore, duket se ka ardhur koha e magnezit. Dhe industria po lulëzon. Tregu global i magnezit vlerësohet në afro 3 miliardë paund dhe pritet të dyfishohet në dekadën e ardhshme.
Nga fabrikat në Yorkshire deri në tregjet e Azisë

Në një fabrikë të vogël në Yorkshire Dales, ku prodhohen miliona tableta çdo ditë, punëtorët veshur me veshje mbrojtëse peshojnë me kujdes pluhurin e bardhë të magnezit citrat, përpara se ai të shndërrohet në tableta që dërgohen në të gjithë botën.
“Dërgojmë furnizime në Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Azi, madje edhe në Kuvajt e Irak,” thotë Andrew Goring, drejtor menaxhues i kompanisë “Lonsdale Health”. “Është një nga produktet tona më të shitura — dhe kërkesa vetëm sa rritet.”
Por, a na duhet vërtet gjithë ky magnez? Dhe pse pikërisht tani është bërë kaq popullor?
“Rrjetet sociale dhe influencerat janë arsyeja kryesore,” shpjegon Goring. “Ne kemi ditur për përfitimet e magnezit prej vitesh, por tani më në fund është bërë ‘viral’.”
Marketing apo nevojë reale?
Dietologia Kirsten Jackson, e specializuar në shëndetin e aparatit tretës, është më skeptike.
“Janë skema të zgjuara marketingu,” thotë ajo. “Magnezi lidhet me fusha ku njerëzit duan të investojnë: gjumin, tretjen dhe shëndetin mendor.”
Por kjo, sipas saj, nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi nevojë për suplemente.
Trupi ynë ka rreth 25 gram magnez — sasia e rekomanduar ditore është 270 mg për gratë dhe 300 mg për burrat. Edhe pse ky mineral përbën më pak se 1% të trupit, ai merr pjesë në mbi 300 procese biologjike, nga funksionimi i trurit dhe zemrës deri te balanca e sheqerit në gjak dhe presioni i gjakut.
Rasti i Katie-t: “Më në fund, mund të fle”
Katie Curran, një specialiste komunikimi, tregon se kishte vite që luftonte me pagjumësinë. “Mendja ime nuk ndalej asnjë sekondë,” thotë ajo.
Ajo vendosi të provojë magnez glicinat — një kombinim i magnezit me aminoacidin glicinë. Pas dy javësh, thotë se filloi të ndiente ndryshimin: “Mendimet u qetësuan, gjumi u përmirësua, energjia u kthye.”
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk ka prova të forta shkencore që suplementet e magnezit përmirësojnë gjumin në mënyrë të qëndrueshme. Përfitimet ndihen vetëm nëse personi ka mungesë të këtij minerali.
Një treg i mbushur me premtime
Në rrjete sociale, influencerët promovojnë lloje të ndryshme magnezi:
Glicinat dhe L-threonate për trurin, stresin dhe gjumin;
Kloridi për relaksim muskulor dhe dhimbje menstruale;
Citrat dhe oksid për tretje dhe kapsllëk.
Por sipas nutricionistes Kristen Stavridis, “nuk ka mjaftueshëm prova të forta që këto forma të ndryshme funksionojnë tek njerëzit e shëndetshëm”. Dhe nëse trupi nuk ka mungesë magnezi, efektet janë minimale.
“Kompanitë e suplementeve na bërtasin: ‘Do të sëmureni nëse nuk e merrni!’” thotë ajo me ironi. “Por zgjidhja nuk është gjithmonë një pilulë.”
Rreth 10% e burrave dhe 20% e grave nuk marrin dozën e rekomanduar ditore, por edhe në këto raste, rregullimi i dietës është hapi i parë, jo suplementet.
Rreziku i teprimit
Teprica e magnezit zakonisht largohet nga trupi përmes urinës — “urina më e shtrenjtë në botë”, siç thotë me humor Stavridis — por mbidoza mund të shkaktojë diarre, të vjella dhe nauze.
Për personat me sëmundje të veshkave, rreziku është serioz: mund të çojë në hipermagnezemi, një gjendje që mund të shkaktojë paralizë ose koma.
Burimet natyrale të magnezit

Si përfundim, siç thekson dietologia Jackson, zgjidhja më e mirë është ushqimi.
Farat, arrat, buka integrale, perimet jeshile dhe frutat janë burime të shkëlqyera magnezi.
“Nëse nuk hani rregullisht këto ushqime, ndoshta ju mungojnë edhe lëndë të tjera jetike si vitamina C, vitamina K dhe fibra,” shton ajo.
“Një tabletë magnezi nuk mund t’i zëvendësojë të gjitha këto.”
Në fund të ditës, magnezi mund të jetë i rëndësishëm, por nuk është magjik.
Për shumicën prej nesh, një dietë e balancuar është shumë më e fuqishme se çdo suplement që mund të blejmë./L.F-dritare.net