
Nga Artan XH. DUKA
Elefanti në dhomë
Pak vite më parë Edi Rama tha të vërtetën historike rreth Kosovës në Beograd. Shtangu e krijoi tensione momenti sepse e tha në sy, shkoqur dhe pa doreza “protokollare” por më pas hapi një qasje të re për marrëdhëniet mes nesh.
Historia dëshmon se krijimin para nesh si shtete në rajon, Serbia e Greqia e shfrytëzuan si “tapi” për hapësirat dhe historinë e tij duke krijuar mite e tabu të “vërtetash” të denja për “Rrobat e reja të Mbretit” të Andersenit, në kurriz të së vërtetës historike, shqiptare në rradhë të parë, në rajon.
E thënë në sy, e vërteta sfidoi kompleksimin, pasigurinë e ndrojen tradicionale se ajo ndoshta më shumë prish se sa ndreq punë dhe se në rrugën drejt BE, mund të trazojë bashkëjetesën e brishtë paqësore në rajon.
Koha tregoi se futja e “elefantit në dhomë” e uli Sërbinë me këmbë në tokë dhe sot marrëdhëniet shqiptaro-sërbe janë më realiste se më parë sipas motos “… bashkëpunimi bashkëpunim, miqësia, mbase personale, miqësi por ndërkohë e vërteta e vërtetë”.
E vërteta, sado trazon, e thënë ballazi është në vetvete gjest sinqeriteti dhe shtrirjeje dore për më tej, shteg për t’i shpëtuar maktheve e pengjeve të së shkuarës e parë më tej. Nuk prish por përkundrazi ofron mundësi për fqinjësi, bashkëpunim dhe pse jo, miqësi të sinqertë për më tej.
Doza e realizmit që e vërteta ofron çliron marrëdhëniet nga klishetë e ngurta e teatraliteti tradicional, nxit komunikimin e bashkëpunimin efektiv mes palëve duke ia lënë kohës të bëjë të vetën më pas.
Shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim realist është sot vetë Ballkani i Hapur që ndonse etiketohet nga syresh si i nisur nga sërbët, afron e bën njësh trevat shqiptare si kombi i vetëm ende i ndarë në gadishullin Ilirik.
E vërteta që bën bashkë “binjakët” në rajon
Realizmi në rritje në marrëdhëniet mes nesh dhe Sërbisë duhet të shtrihet edhe me Greqinë. E vërteta, e thënë në kohën dhe vëndin e duhur, nuk ka pse të stepet nga fakti se Greqia ka veto për rrugën në BE, se jemi aleat në NATO apo se gëzon mbështetje krejt tjetër nga Serbia në SHBA. Sikurse në rastin e Sërbisë, ajo vetëm çliron nga makthet e pengjet e së shkuarës, ngjiz dinjitet dhe garanton bashkëpunim e miqësi të sinqertë më tej.
Përpara se rajoni të ndahej arbitrarisht me kufij dy shekuj më parë, ishte për mijra vjet shtëpi e të gjithëve e bashkonte pa dallim. Si kombe “binjak” historik në gadishullin Ilirik, grekët e shqiptarët e sotëm kanë nevojë vetëm për hapje mes vetes të atillë që bën anakronik si kufirin ashtu edhe retorikat e ndarjes e mosbesimit reciprok mes nesh.
Rama ia tha të vërtetën në sy Vuçiçit dhe ajo i solli më pranë. Në kohën e vëndin e duhur t’a bëjë edhe me Greqinë.
Nga çështja çame e genocidi ndaj Çamërisë, njohja e të drejtat e arvanitasve duke bashkëpunuar edhe me arbëreshët e Italisë për të ruajtur trashëgiminë arbërore, denoncimi i ligjit të luftës me të cilin Greqia bën “budallain” dhe e mban qëllimisht, parimi i reciprocitetit dhe vijat e kuqe ndaj çdo arrogance e hundëfutje nga fqinji në punët tona (tam-tamet për minoritetin, tekstet shkollore, ngjarja së fundi në Himarë etj), të drejtat e emigrantëve shqiptarëve të pas viteve 90, absurdi i ndarjes së detit të ndarë tashmë prej krijimit të shtetit, dalja për një vizitë nga trevat çame dhe ato arvanitase me kamera dhe gazetarë pas për cilën mbase kryeministri grek ofron edhe një helicopter, vënia e një kurore tek bashkëatdhetarët arvanitas që i prinë revolucionit grek etj.
E vërteta nuk është fundi i botës përveçse fundi i botës së trillimit që duke tjetërsuar të shkuarën, tjetërson ende të tashmen.
Marrëdhënia Shqipëri-Greqi ka nevojë për një dozë të madhe realizmi. Të vërtetat janë jetike për dy popuj “binjak” që ndajnë fatin prej mijra vjetësh në rajon. Edi Rama të bëjë të tijën sepse herët a vonë, pala greke do të shohë sens. Sikurse me Vuçiçin Rama flet sot pa teklif e kokë më kokë pavarësisht qëndrimeve të kundërta për Kosovën, kjo mbase ndodh shpejt edhe me homologun në Greqi.
Fati i integrimit në BE nuk preket nga e vërteta. Jo se e drejta e vetos sot është dilemë në vetë BE por se Greqia e çliruar nga pengjet e së shkuarës nuk do e uli më veten e humbasë dinjitet me kanosje vetoje për në BE ndërkohë që Shqipëria gëzon mbështjetje në rritje në perëndim.
Por dhe nëse e bën hë për hë, aq na bën sepse integrimi, edhe pa këto yçkla, prapë do të marrë ca kohë. Ajo që mbetet është nëse do të trokasim kokëulur e kushedi se kur në “derën” deri atëhere shurdhe të BE apo do i bëjmë vënd vetes me dinjitet duke e gjetur më pas “derën” hapur me vetë mikpritësin tek pragu i saj.
Gadishulli Iirik duhet të çlirohet nga fabrikimi i së shkuarës, grindavecët dhe ngackarët që bëjnë të fortin prej dy shekujsh në rajon. Që bëjnë zhurmë, vënë kujën e hedhin vickla vënd e pa vënd për të paqëna për të shmangur ndërkohë vëmëndjen nga dalja e të vërtetave e kauzave reale që nuk ka “rrasë” varri që i mbulon. Zullumi historik i së shkuarës duhet të dalë në shesh ndryshe ai nxit zullum më tej sipas qasjes “mbrojtja më e mirë është sulmi” që vetëm ushqen tension pambarim në rajon.
Sikurse Kosova po synon reciprocitet me Sërbinë duke shmangur gracka si Bashkësia e Komunave në veri që nisur nga premisa të rrejshme rrezikon të marrë peng të ardhmen të saj dhe rajonit, ashtu edhe Shqipëria duhet të vijojë më tej me artikullimin pa komplekse e ballë për ballë të të vërtetave historike ndaj atavizmave historikë në gadishullin Ilirik. E filloi me Sërbinë, t’a vazhdojë me Greqinë sepse vetëm e vërteta na sjell më pranë./dritare.net

















