
Një superkoncert në Vjenë, nga Shkëlzen Doli dhe Filarmonia, për viktimat e tërmetit
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Vitin e Vjetër 2019 e mbyllëm në mënyrën më të denjë të mundshme, duke dëgjuar muzikë klasike nga një prej orkestrave më të mira të globit. Disa nga muzikantët e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, me nismën e Shkëlzen Dolit organizuan koncert bamirësie për viktimat e tërmetit në Shqipëri. U përqëndruam tek gjërat e mira që mund të bëjmë bashkë, për të harruar sado pak dhimbjen nëpëmjet asaj që con zemrat peshë, muzikës. Sigurisht koncerti u mbështet nga Ambasada jonë në Austri dhe të disa biznese shqiptare me seli në Vjenë si; Log In Albania, SurPrice car rentals, N1Desiderio etj. Biletat fillonin nga 30-50 euro personi, në varësi të vendit. Ju e dini që në datën 1 Janar është koncerti i famshëm i Filarmonisë së Vjenës, që jemi mësuar ta shohim
në TVSH. Mu bë qejfi që dy ditë para tij, të njëjtët persona pranuan të performonin për rreth dy orë për një kauzë të rëndësishme. Duke marrë parasysh sa prova paraprake bëhen për shfaqjen e fundvitit, prap ata gjetën kohën t’i bashkohen thirrjes së mikut të tyre. Organizime të tilla në një farë mënyre shërbejnë dhe si mbledhje e komunitetit të shqiptarëve, paçka se ka plot të huaj që marrin pjesë. Personat që i frekuentojnë janë pak a shumë të njëjtët, e kemi filluar të njohim fytyrat e njëri-tjetrit, pse jo personalisht. Koncerti fillonte në orën 19:00, megjithatë shkova pak më parë për të ndihmuar me dy gjëra të vogla. Bashkë me shoqen time të vogël Marën, qëndruam tek garderoba për të sistemuar palltot e xhupat që kishin veshur njerëzit.
U ndamë në dy grupe, por punën më të madhe e bënë dy djemtë e parë sepse dukeshin më kollaj nga hyrja. “Pse s’po vjen njeri tek ne? Dua dhe unë të punoj si çunat këtu. Po më dha njeri bakshish do ja jap babit t’i mbledhin për bamirësi.” – thoshte Mara e mërzitur që s’po punonte me aq fuqi sa kishte.
Edhe pse 8 vjec, prapë i pëlqente të ndihmonte e të jepte më të mirën e saj. Kështu duhen rritur fëmijët pra!
Holli para u mbush plot me njerëz, fëmijë, grupe shoqërish austriake, miq të Ambasadës, familje shqiptarësh etj. Shkëlzen Doli nuk dukej në sfond pasi po bënte prova bashkë me kolegët e tij. Ra zilja si në shkollë, e të gjithë u futëm brenda për të parë çfarë kishte servirur grupi për ne. Ambasadori i Shqipërisë në Austri, zoti Roland Bimo, mbajti një fjalë hapëse shkurtimisht për të treguar arsyen përse jemi mbledhur e më pas filloi muzika.
Kënga e parë më dukej shumë e dëgjuar. Nga mesi e kuptova që kjo melodi është luajtur në filmin Tomi dhe Xherri që shikoja kur isha e vogël. “Johann Strauss - Die Fledermaus Overture” me siguri ka qenë muzika e parë klasike që kam dëgjuar në jetë, siç duket ngulitur në mendjen time që atëherë. Për mendimin tim është zgjedhje ideale për të pëdorur muzikë të tillë në filmat vizatimorë. Në këtë mënyrë brezit të ri të fëmijëve u rrihet veshi me tinguj realë që kanë bërë histori.
Visualizza questo post su Instagram
Shkëlzeni lunate violinën e parë. Nuk kishte dirigjent dhe të gjithë ndiqnin atë me sy për t’u marrë vesh. Me pak fjalë ai lunate violinistin dhe dirigjentin. Pas çdo kënge ngriheshin në këmbë e duartrokiteshin nga ne me dëshirën më të madhe. S’kam qenë ndonjëherë fanse e klasikes, por do ti që ka filluar të më pëlqejë këto kohë. Vetëm duke i parë si koordinohen me njëri-tjetrin, më habit fare. Muzika që dëgjuam aty ishte super e pastër dhe e kulluar për veshët. Artistët bëheshin ujë në djersë, sepse herë pas here luanin pjesë të shpejta. Lëre pastaj, Dolit i kullonin edhe flokët. Imagjino të shohësh live spektaklin e madh të Vitit të Ri. Besoj është eksperiencë jete më vete.
Gjatë pauzës pimë një gotë verë dhe u socializuam pak. Në muhabet e sipër takoj Skifterin, një zotëri që drejtonte biznes eventesh në Austri, madje ndër më të famshmit. Duke e ndihmuar për të pastruar gotat më tregonte disa nga punët që bënte. U harrova pas bisedave me të dhe e kapa pjesën e dytë pak me vonesë.
Grupi vazhdoi të lunate kryesisht Johann dhe Josef Strauss. Madje kur i dërgoj mamit një video në Whatsapp më thotë: “Ky është Shtrausi!” “Sa mirë e njeh mi!”- i përgjigjem unë, duke harruar se prindërit tanë kanë më tepër kulturë për muzikë klasike sesa ne. Sa keq që brezi ynë vlerëson më shumë imazhin sesa tingullin.
Koncerti u mbyll me duartrokitje e përulje të shumta ndaj artistëve. Sigurisht vëmendja jonë ishte tek Shkëlzeni, sepse në fund të fundit robi gjakun e vet do. Por ai s’do të na e falte këtë kënaqësi pa ndihmën e kolegëve të tij. Pas duartokitjeve të shumta u kthyen dhe një herë për të performuar dicka të momentit, ndërkohë që salla duartrokiste, sipas ritmit.
Pasi shpërndamë xhupat e palltot e secilit, po prisnim artistin e mbrëmjes për ta falenderuar. Shumë modest si gjithmonë, Shkëlzeni të cilin shokët e thërriznin Xeni, na falenderonte ne që erdhëm.
Të bëhet qejfi kur persona të tillë sado lart të arrijnë me artin apo punën e tyre, se harrojnë kurrë origjinën. Madje janë aq të thjeshtë, sa shkëmben biseda tipike shoqërore sikur njiheni prej vitesh. Duket njeriu që në fytyrë. Dolit i shkëlqenin sytë nga gëzimi. Ju kam thënë që modestia është virtyt i mençurisë. Shkëlzen nëse më lexon, unë me miqtë e mi po prisnim të luaje edhe këngën “Baresha” apo “Albanian Soul”, por po ta falim meqë s’keni patur kohë të gjatë për t’u përgatitur. Shpresoj që ky bashkim t’i kujtojë atyre që kanë nevojë se nuk janë kurrë vetëm./dritare.net

















