Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarre, viktima dhe evakuime masive! BBC: Shqipëria ndër vendet e prekura nga vala përvëluese e të nxehtit në Evropë!

Zjarre, viktima dhe evakuime masive! BBC: Shqipëria ndër vendet e
“Zjarret në Shqipëri i detyruan njerëzit të evakuohen nga shtëpitë e tyre të hënën”-shkruan BBC

BBC raporton për një situatë alarmante në Evropën Jugore, ku vala përvëluese e të nxehtit ka shkaktuar qindra zjarre në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në një artikull të publikuar së fundmi, rrjeti britanik BBC njofton se më shumë se 152 vatra të reja zjarri janë shfaqur vetëm në Greqi gjatë 24 orëve të fundit, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë dhe hotelet e tyre, ndërsa 4,850 zjarrfikës janë në terren në një përpjekje të madhe për të kontrolluar flakët.

Në këtë panoramë të zymtë, Shqipëria përmendet mes vendeve ku janë shënuar viktima, së bashku me Spanjën dhe Turqinë. Në vendin tonë, një person ka humbur jetën si pasojë e zjarreve dhe temperaturave ekstreme, ndërsa të tjerë janë dërguar në spitale për shkak të djegieve apo problemeve të shkaktuara nga tymi i dendur.

Zjarre në Greqi, Spanjë, Turqi dhe më gjerë

Në Greqi, ishujt turistikë të Kiosit dhe Zakinthosit janë ndër më të goditurit, ku janë kryer evakuime masive. Në Patras, flakët përfshinë qytetin gjatë natës, duke shkatërruar banesa dhe biznese.

Në ishullin e Zantes, situata paraqitet dramatike me tre fronte të pakontrolluara, që përhapen në mbi 15 kilometra. Janë dëmtuar objekte turistike, shtëpi dhe toka bujqësore, ndërsa të paktën 13 zjarrfikës janë plagosur.

Zyrtarët grekë kanë kërkuar ndihmë me avionë nga vende të tjera të BE-së, pasi rreziku i zjarreve mbetet “jashtëzakonisht i lartë” në shumë rajone të vendit.

Viktima dhe dëme të mëdha në Spanjë, Itali dhe Ballkan

Në Spanjë, mbi 4,000 persona janë evakuuar në provincën León, ku një zjarrfikës vullnetar humbi jetën. Një tjetër viktimë u regjistrua në Tres Cantos, pranë Madridit, ndërsa qindra banorë u larguan për shkak të flakëve që përparonin me ndihmën e erërave të forta.

Në Itali, një fëmijë ndërroi jetë nga goditja e nxehtësisë, ndërsa një djalë 4-vjeçar rumun humbi jetën pasi u la pa ndjenja në një makinë në Sardenjë – autoritetet e lidhin vdekjen me temperaturat ekstreme që kanë shkaktuar dëmtime të pakthyeshme në tru.

Alarme të kuqe për vapë janë lëshuar për të paktën 10 qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen, me temperatura që i afrohen 40 gradëve Celsius.

Edhe Franca, Portugalia dhe Sllovenia raportojnë temperatura rekord, me Slloveninë që shënoi natën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Ballkani dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu në alarm

Në Mal të Zi, një ushtar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë gjatë përpjekjes për të shuar një zjarr në kodrat mbi Podgoricë.

Turqia ka përballuar disa zjarre të mëdha, veçanërisht në Çanakala dhe Izmir, ku është dashur të mbyllen aeroportet dhe Ngushtica e Dardaneleve.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar po përjeton valën e katërt të të nxehtit këtë vit, me temperatura deri në 33 gradë dhe disa vatra zjarri në Londër që dogjën mbi 17 hektarë tokë./E.P-dritare.net