
Tërbohen vlonjatët, i shkruajnë mbretit të Anglisë!
Dritare.net

I nderuar Zotëri, mbret i Anglisë, Karl!
Ne që ju shkruajmë jemi një grup lebërish nga fshati i Bolenës, por që tani janë bërë me ne edhe ata të Vranishtit, Kuçit e Tragjasit. Presim të bashkohen edhe Brataj, Gjormi dhe Lepenica.
Arsyeja që po ju shkruajmë janë ca fakte të reja që kanë dalë lidhur me një parardhëse tuajën, e cila ka qenë nga fshati ynë. Ana Bolena i thonë. Mos bëj sikur nuk e njeh, se një stërgjysh i juaji që mbante të njëjtin emër, e ka pasur për grua, pastaj e vrau.
Tani, o zotëri, është e mira që të ndajmë ca muhabete. E para e punës, ai Karli i parë bëri gabim që e vrau, medemek se e kishte tradhtuar. Femrat tona janë me namuz, o zotëri. Po të ishte për dashnor e burrë, i gjenim plot këndej nga Lumi i Vlorës dhe nuk e sillnim deri aty sa ta vrisje. Edhe nëse e kishte zënë me ndonjë dashnor, ta ndante dhe ta kthente tek dera e babait, por jo ta vriste.
Tani këto punë kështu erdhën, dhe ti nuk ke faj. Por puna është që duhet të përgjigjesh.
Varianti i parë është që të ndahesh nga ajo germadha, Kamila, dhe të marrësh një grua nga fshati ynë. Kuptohet që do marrësh ndonjë që i ka vdekur burri. Vejan ti, vejushë ajo, njësoj jeni.
Varianti i dytë është që pasardhësi i fronit do caktohet në marrëveshje me ne dhe do jetë një shqiptar. Kjo do të bëjë mirë edhe për ty, se ata djemtë e tu nuk kanë sy. Njërit i kanë rënë flokët, e tjetrit te prishi racën. Do jetë kthyer përmbys Elisabeta në varr. Ne pastaj do ta ndajmë fronin me kuksianët me mandate 4-vjeçare, se këtu Rama nuk ka ndërmend ta lëshojë. Të paktën të rregullohemi aty. Por kjo nuk është puna jote. Bën mirë ta mendosh, se kuksianëve kur u thamë që do ndajmë fronin e Anglisë, nuk u zë më vendi. Ndaj mos i hap punë vetes.
E di që ke thënë që të rregullohemi me para, por kjo punë me lekë mbyllej në fillim. Tani lekë kemi bërë vetë sa të blejmë Anglinë dhe na qan syri për një çikë karrige dhe emër.
Qejfi na e ka ta mbyllim si miq këtë punë, se, parë hollë-hollë, edhe ti nipi jonë je. Por nëse ke pesë pare nder, e mbyll këtë mesele siç të themi. Në të kundërt, i ke hapur bela vetes.
Me respekt,
Burrat e Bolenës
dritare.net

















