Na ndiqni edhe në

Bota

Liderët e BE-së: Kufijtë e Ukrainës nuk duhet të ndryshohen me forcë

Liderët e BE-së: Kufijtë e Ukrainës nuk duhet të

Liderët evropianë paralajmërojnë që kufijtë e Ukrainës nuk duhet të ndryshohen me përdorim force, tre ditë para samitit mes Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaska.

Në një deklaratë të përbashkët, 26 nga 27 liderët e BE-së theksuan se populli ukrainas duhet të ketë lirinë të vendosë për të ardhmen e tij dhe se duhet të respektohet integriteti territorial, pa ndryshime kufijsh me forcë.

Hungaria, përmes kryeministrit Viktor Orban, ishte e vetmja që nuk nënshkroi deklaratën, pasi ka marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe ka bllokuar më parë mbështetjen evropiane për Ukrainën.

Deklarata vjen në një kohë kur Rusia vazhdon pushtimin e Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia pritet të diskutojnë mundësinë e një marrëveshjeje paqeje që mund të përfshijë shkëmbim territoresh, diçka që Ukraina e ka refuzuar me forcë.

Liderët e BE-së shprehën gjithashtu nevojën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe konfirmuan mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën, duke theksuar të drejtën e saj për vetëmbrojtje dhe për të zgjedhur vetë fatin e saj, duke nënvizuar rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Nga ana e tij, Orban kritikoi deklaratën dhe kërkoi që BE-ja të organizojë një samit me Rusinë, një ide e kundërshtuar nga shumica e vendeve anëtare./K.C/dritare.net