
Gramshi përballë tragjedisë së flakëve, një ditë që la plagë të thella
Dritare.net
Një ditë e zakonshme gushti në rrethin e Gramshit u shndërrua dje në një ditë e natë tmerri dhe humbjeje. Një zjarr i nisur në mënyrë nga një banor i moshuar në fshatin Kullollas, u përhap me shpejtësi marramendëse duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij. Tragjikisht, 80-vjeçari që ndezi zjarrin humbi jetën nga asfiksia, duke u bërë viktima e parë e zjarreve të këtij sezoni në Shqipëri.
Pas shpërthimit fillestar, flakët, të ndihmuara nga era e fortë dhe thatësira e gjatë, përfshinë jo vetëm Kullollasin, por edhe Bletëzin, të dy këta fshatra thuajse u zhdukën nga harta, duke lënë pas rrënoja dhe hi. Nga aty, zjarri u përhap drejt Menkollarës, Sojnikut, Mukajt dhe më vonë edhe në Kodovjat, duke kërcënuar drejtpërdrejt banesat, fermat dhe tokat bujqësore të banorëve.
Banorët tregojnë se gjithçka ndodhi në pak orë: “E pamë flakën mbi kodër dhe menduam se do ta fiknim shpejt. Por brenda një ore, era e çoi drejt shtëpive tona. S’mundëm të shpëtonim asgjë”, – tha një banor i Bletëzit.
Autoritetet shpallën menjëherë evakuim urgjent për Kullollasin, Bletëzin dhe një pjesë të njësisë Skënderbegas, duke larguar fillimisht fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Rreth 200 persona u transferuan në kushte emergjente, disa u strehuan në hotele lokale, të tjerë në palestra sportive të përshtatura si qendra pritjeje, me dyshekë e pako ushqimore.
Rrugët që të çonin drejt zonave të prekura u bllokuan në disa segmente për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut që flakët të afroheshin, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen tokësore. Disa banorë raportohen se ishin bllokuar përkohësisht dhe u shpëtuan nga forcat e emergjencës.
Në terren u mobilizuan helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Çekia, Sllovakia dhe Greqia, përveç mjeteve ajrore të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në tokë, dhjetëra mjete zjarrfikëse, forca të ushtrisë, policisë dhe vullnetarë punuan pa ndërprerje gjatë gjithë ditës dhe natës. Pavarësisht përpjekjeve, vatrat vijojnë të jenë aktive, veçanërisht në zona kodrinore ku terreni e vështirëson ndërhyrjen.
Shifrat e para tregojnë për një sipërfaqe të madhe të djegur, me dhjetëra hektarë tokë pyjore dhe bujqësore të shkatërruara, dhjetëra banesa të djegura ose dëmtuara rëndë dhe mijëra kafshë të ngordhura nga flakët. Për shumë familje, kjo do të thotë humbje e të ardhurave për vite me radhë, pasi kulturat bujqësore dhe bagëtia ishin burimi kryesor i jetesës.
Gjendja sot në mëngjes
Situata mbetet kritike. Flakët ende janë aktive në disa fshatra, megjithëse përhapja e tyre është ngadalësuar nga ndërhyrja e mbrëmshme. Evakuimet vijojnë për zonat më të rrezikuara, ndërsa autoritetet apelojnë që banorët të mos kthehen ende në shtëpitë e tyre derisa të sigurohet kontrolli i plotë mbi zjarrin.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se operacionet nga ajri do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, me synimin për të shuar vatrat kryesore dhe për të parandaluar rikthimin e flakëve.
Gramshi po përjeton një nga tragjeditë më të mëdha të viteve të fundit, ku zjarri mori një jetë, shkatërroi disa fshatra dhe la qindra njerëz të pastrehë. Autoritetet po luftojnë për të parandaluar një përhapje të mëtejshme, ndërsa banorët përballen me dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së ardhmes./K.C/dritare.net

















