
Rama flet sërish për zjarret në vend: Dy ditë e net ekstremisht të vështira, flakët kanë qenë të pamëshirshme
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e vështirë të zjarreve që kanë përfshirë vendin gjatë dy ditëve dhe netëve të fundit. Sipas tij, forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura kanë përballuar flakët e mëdha në zona si Skënderbegas dhe Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën.
“Rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme, por falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të forcave në terren, është arritur që zjarret të vihen nën kontroll,” shkruan Rama, duke shtuar se puna për shuarjen e tyre dhe gatishmëria për çdo riaktivizim apo vatër të re vijon pa ndërprerje.
Ai bëri thirrje për kujdes maksimal nga banorët, që të sinjalizojnë çdo vatër zjarri sa më shpejt dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Për piromanët që ndezin flakët qëllimisht, Kryeministri paralajmëroi ndëshkimin maksimal.
Postimi i plotë i Ramës:
"Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme. Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja. Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal .", shkruan Rama./K.C/dritare.net

















