
Zhvillohet sot ceremonia e kurorëzimit të Kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë!
Dritare.net
Në Katedralen Ngjallja e Krishtit, sot do të mbahet ceremonia të fronëzimit të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Joan Pelushi.
Qindra besimtare pritet të vijnë në kishën qendrore paradite, për të ndjekur nga afër të parën ceremoni të uljes së një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë të kishës ortodokse shqiptare.
Në ceremoni do të marrin pjesë të përfaqësues të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe të ftuar nga 13 Kishat Ortodokse të botës.
I pranishëm do të jetë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, dhe teksa është ftuar edhe kreu i opozitës Sali Berisha.
Shteti grek do të përfaqësohet nga ministrja për Edukimin dhe Fenë, e bie në sy që për fronëzimin e një kryepeshkopi shqiptar nuk do të jetë vetë Mitsotakis, i cili pati një protagonizëm në ceremoninë e lamtumirës së ish-kryepeshkopit të ndjerë, Anastas.
Nga përfaqësuesit shtetërorë do të flasë vetëm kreu i shtetit Bajram Begaj. Mitropoliti i Apolonisë, Hirësia e tij, Nikolla do të përshëndesë në emër të Sinodit të Shenjtë.
Fjalimi kryesor do t’i takojë Fortlumturisë së tij, Joanit, i cili më pas, do të ulet për herë të parë në fronin kryepiskopal, të drejtë që do ta gëzojë për sa të jetojë mes të gjallëve.
Të dielën, kryepeshkopi do të mbajë në Katedralen Ngjallja e Krishtit shërbesën e parë si kryepeshkop tashmë i fronëzuar, ndërkohë që duhet të zgjedhë pasuesin e tij në Mitropolinë e Korçës, aty ku shërbeu pa ndërprerje që nga viti 1998./E.P-dritare.net

















