
Zërat që e paralajmëruan. Si u injoruan sinjalet për vrasjen e Azem Hajdarit
Dritare.net
Vrasja e Azem Hajdarit më 12 shtator 1998, një nga ngjarjet më tragjike dhe destabilizuese në historinë e pas ’90-ës, duket se nuk ishte një akt i papritur. Informacione të reja dhe dëshmi nga ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete zbulojnë se sinjalet për rrezikun ndaj deputetit demokrat ishin dhënë, por u injoruan.
Ish oficeri i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), i cili në atë kohë ishte në një fazë tranzicioni dhe riorganizimi nën drejtimin e Fatos Klosit, Xhevdet Zeka, i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV tha se kishte paralajmërime konkrete për një atentat të mundshëm ndaj Hajdarit. Sipas këtyre burimeve, informacionet u përcollën në nivelet më të larta të shtetit, përfshirë edhe Këshillin e Ministrave dhe drejtues të Partisë Demokratike.
“Shërbimi e kishte sinjalizuar rrezikun. Kishte tensione në Tropojë, kishte lëvizje të grupeve të armatosura dhe emra të njohur për kontrabandë e trafik. Kishte një përplasje zonash influence që duhej trajtuar me seriozitet,” thotë një ish-zyrtar i lartë, që kërkon të mbetet anonim.
Vrasja ndodhi në një kohë kur klima politike në vend ishte e elektrizuar, me protesta të vazhdueshme nga opozita dhe tensione të rënda pas trazirave të vitit 1997.
“Ajo që ndodhi me Azemin, dhe më pas në 14 shtator kur u sulmuan institucionet shtetërore me armë, nuk ishte një aksident. Ishte një skenar destabilizues, ku kanë pasur interes aktorë të brendshëm dhe të jashtëm,” tha zoti Zeka.
Ish-drejtori i SHIK-ut, Fatos Klosi, në disa dalje publike gjatë viteve të fundit ka deklaruar se “shërbimi kishte informuar për rreziqet, por nuk u morën masa”. Ai ka theksuar se vrasja e Hajdarit kishte potencial të shndërrohej në një luftë civile, dhe se SHIK ishte detyruar të armatosej për të mbrojtur institucionet.
Ngjarja tronditi vendin dhe solli një nga momentet më të errëta të tranzicionit shqiptar. Zeka tregoi se disa oficerë të SHIK-ut, sipas dëshmive, kishin shkruar edhe letra familjarëve në ato ditë, duke thënë se ishin të gatshëm të vdisnin për të mos dorëzuar shërbimin në duart e njerëzve që donin ta përdornin për interesa politike.
Sot, më shumë se dy dekada më vonë, shumë pyetje mbeten pa përgjigje. A u injoruan me vetëdije paralajmërimet? Pse nuk u mbrojt një figurë kaq simbolike si Azem Hajdari? Kush përfitoi nga eliminimi i tij dhe trazirat që pasuan?
Hetimet zyrtare u mbyllën me arrestime dhe gjykime, por hija e dyshimeve për një skenar të mirëorganizuar, me lidhje të brendshme e të huaja, vazhdon të rëndojë mbi këtë ngjarje./L.F-dritare.net

















