
Zbulim historik në Lini. Shqipëria shtëpia e vendbanimit më të vjetër palafit në Evropë
Dritare.net
Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në kontinent po ndodh në fshatin piktoresk të Linit, në brigjet e liqenit të Ohrit. Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, zbulimi i një vendbanimi nënujore që daton nga 8000 deri në 4000 vjet para erës sonë e bën këtë zonë vendbanimin palafit më të hershëm të njohur deri më tani në Evropë.
Strukturat prej druri të zbuluara në zonën e Buqezës dëshmojnë për një komunitet të lashtë që përdorte me zgjuarsi burimet natyrore për bujqësi, blegtori, peshkim dhe gjueti. Ky projekt është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe është shpallur zonë arkeologjike nënujore, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë zbulim si një tjetër arsye për të qenë krenarë për pasuritë e rralla që mbart toka shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Lini është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo vendbanim i këtij lloji i zbuluar më parë në Itali apo Spanjë,” theksoi prof. Albert Hafner nga Universiteti i Bernës.
Dritare TV i ka kushtuar një dokumentar këtij zbulimi të jashtëzakonshëm në maj të vitit 2024, ku Adrian Anastasi, arkeologu nënujor dhe drejtuesi i projektit shqiptaro-zviceran LIN 3, tregoi për gazetaren Rudina Xhunga se si në një periudhë 4-vjecare arritën të gjenin provat dhe të vërtetonin shkencërisht, që vendbanimi më i vjetër në Europë, ndodhet në Pogradec. Dokumentarin mund ta ndiqni në linkun më poshtë!/L.F-dritare.net

















