
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, ILD: Të sigurojmë paprekshmërinë e drejtësisë
Dritare.net
Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore të mbajtur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm mnë Tiranë, nga Elvis Shkambi.
"Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.
Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.
Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Ne institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit.
Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin",- thuhet në reagimin e ILD./E.P-dritare.net

















