
Vendoset nën hetim Spitali Amerikan, i biznesmenit Klodian Allajbeu
Dritare.net
Autoriteti i Konkurrencës ka vënë nën hetim Spitalin Amerikan, i cili është në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu. Nën hetim është vënë edhe International Hospital SH.A. Autoriteti i Konkurrencës ka marrë këtë vendim me argumentin se këto ndërmarrje janë konstatuar në pozita dominuese.
Njoftimi:
“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 09.04.2025, mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor.
Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës realizoi procedurën e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA), në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003.
Gjithashtu, nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net

















