
Verëtari britanik që do të prodhojë një verë në Leskovik!
Dritare.net
Në një terren malor me bukuri natyrore të paprekur, në lartësinë 780 metra mbi nivelin e detit,
ndodhen vreshtat e Kantinës Max Mavrud. Mikroklima unike e zonës së Leskovikut krijon
kushte mjaft të mira për kultivimin e rrushit cilësor. Pikërisht këtu, në këtë terren me histori të
vjetër në prodhimin e verës, familja e kantinës ka ndërtuar një histori suksesi mbi themelet e
traditës, përkushtimit dhe dashurisë për verën.
Kantina Max Mavrud disponon aktualisht 16 hektarë vreshta, me një vizion të qartë për të
zgjeruar sipërfaqet vit pas viti. Në këto vreshta kultivohen varietete me histori dhe karakter unik
si Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debinë e Bardhë, Debinë e Zezë dhe Perla – një kombinim i
varieteteve autoktone dhe ndërkombëtare që reflektojnë pasurinë e trashëgimisë së zonës dhe
potencialin për prodhimin e verërave të klasit të lartë.
Varietetet si Mavrud, Merlot dhe Pinot Noir janë pjesë e historisë së Leskovikut që prej viteve
1980, kur u kultivuan deri në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit. Këto kultivarë u përshtatën
jashtëzakonisht mirë me klimën malore dhe dhanë rezultate mbresëlënëse, duke e vendosur
zonën në hartën e prodhuesve të verërave cilësore.
Me rënien e regjimit në vitet ’90, shumë nga këto vreshta u shkatërruan, por jo kujtimi i
potencialit që kishte kjo tokë. Familja e Kantinës Max Mavrud, me rrënjë të thella në këtë truall,
ndërmori një mision për ta rikthyer identitetin autentik të Leskovikut si një zonë e njohur për
verërat cilësore. Duke u mbështetur tek trashëgimia e kultivarëve autoktone si Debinë e Bardhë
dhe e Zezë dhe duke rigjallëruar varietete ndërkombëtare me histori në këtë zonë, kantina jo
vetëm që rifilloi një rrugëtim të ri, por i dha zë një trashëgimie që fliste për tokën, klimën dhe
shpirtin e vendit.
Ky përkushtim dhe kjo qasje novatore tërhoqën vëmendjen e gazetarit dhe verëtarit britanik
Chris Boiling. Gjatë periudhës së pandemisë, i mbyllur për dy vite në shtëpi, Boiling vendosi të
përmbysë rutinën përmes një ideje unike: të prodhonte gjashtë verëra në katër vende evropiane
që e tërhiqnin për autenticitetin e tyre – Slloveni, Hungari, Austri dhe Gjeorgji. Ky udhëtim e çoi
përfundimisht edhe në Shqipëri.
Në vitin 2023, pas disa projekteve jo të suksesshme për shkak të kushteve të motit, Chris u njoh
me Florin nga Kantina Max Mavrud. Nga një ftesë e thjeshtë lindi një bashkëpunim i
jashtëzakonshëm. I mahnitur nga peizazhi dhe bukuria e paprekur e vreshtave, por edhe nga
varietete si Debinë e Zezë, Mavrud, Pinot Noir, Shiraz dhe Merlot, ai vendosi të eksperimentojë:
të bashkë-fermentojë varietete vendase me ato ndërkombëtare dhe t’i ruajë në tre mënyra të
ndryshme – çelik inox, barrelë lisi francez dhe barrelë lisi hungarez.
Rezultatet? Të jashtëzakonshme! Ndërsa vera e ruajtur në çelik kishte një freski të veçantë, ajo
në fuçi lisi francez dhe hungarez shpalosi thellësi, aromë dhe kompleksitet që premtuan një
produkt unik – një verë që nuk ekziston askund tjetër, përveçse në Leskovik, aty ku tradita
përqafohet me inovacionin.
Për Chris Boiling, Shqipëria dhe rajonet e tjera post-komuniste janë si thesare të fshehura në
botën e verës – vende që ofrojnë jo vetëm histori dhe autenticitet, por edhe liri për të
eksperimentuar dhe për të krijuar verëra që sfidojnë standardet klasike. Mesazhi i tij është i
thjeshtë por i fuqishëm: pini më pak, por më mirë – dhe guxoni të provoni diçka ndryshe.
Kjo është filozofia që mishëron sot Kantina Max Mavrud – një kantinë që nuk prodhon vetëm
verë, por sjell në çdo gotë një histori të rilindur, një traditë që jeton dhe një premtim për të
ardhmen./dritare.net
View this post on Instagram

















