Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arlind Qori: Berisha më shkatërroi familjen në 1991!

Arlind Qori: Berisha më shkatërroi familjen në 1991!

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë dhe kandidat i kësaj force politike për zgjedhjet vendore të 11 majit në Tiranë vjen në një rrëfim ndryshe për Dritare TV.
Arlind Qori, ka ndarë një rrëfim personal në emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, duke treguar për fëmijërinë, familjen dhe sfidat e jetës së tij në një Tiranë të varfër, por me vlera të forta shoqërore siç thotë ai.



“Kam lindur në Tiranë më 11 nëntor 1981. Jam djali i Muhamet Qorit, ish-oficer dhe pedagog në ‘Shkollën e Bashkuar’, me profesion inxhinier. Origjina jonë është nga Tepelena,” – tregoi Qori.
Ai rrëfeu se është rritur në Tiranën e fundit të viteve '80, në kushte të vështira ekonomike.
“Shtëpia ime ishte pas ish-Ambasadës Italiane. Jemi rritur në varfëri ushqimi ynë shpesh ishte vetëm bukë, sheqer dhe ujë. Megjithatë, Tirana aso kohe ishte e varfër, por solidare.”
Qori ndau edhe disa detaje nga historia politike e familjes së tij, duke përmendur bindjet e të atit dhe përvojat e së ëmës.
“Babai im ka qenë komunist dhe në një periudhë ka qenë edhe sekretar partie. Nëna ime vinte nga një familje ku gjyshi ishte partizan, ndërsa xhaxhai i saj kishte qenë i burgosur politik. Babai ishte shumë kritik ndaj regjimit, dhe kam përshtypjen se në zgjedhjet e para kanë votuar për Partinë Demokratike, ngaqë kishin ende shpresë për ndryshim.”
Por kjo shpresë, sipas tij, u shua shpejt:
“Pas vitit 1992, familja jonë e përjetoi shumë rëndë ‘fshesën’. U hoqën nga puna, u lanë disa vite pa asnjë të ardhur. Babai nisi të merrej me tregti të vogël dhe nëna, pas shumë vitesh, u rikthye në punë si inxhiniere.”
Qori theksoi se, pavarësisht vështirësive ekonomike, ndershmëria dhe dinjiteti kishin më shumë vlerë se pasuria materiale:
“Atëherë nuk kishte stigma për varfërinë. Të gjithë ishin të varfër, por me nder.”/E.P-dritare.net