Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Klodian Braho: Po mendojmë një model të ri që SPAK t’i kryejë vetë arrestimet

Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, kreu i SPAK-ut Klodian Braho foli për masat e sigurisë ndaj personave në kërkim, duke ngritur shqetësimin për mungesën e kapaciteteve operacionale për arrestime. Ai theksoi se institucioni aktualisht nuk ka mundësi të kryejë vetë veprime arrestimi dhe se po shqyrtohet një qasje e re institucionale që do t’i jepte më shumë kompetenca operative SPAK-ut.

“Nuk ka kapacitete operacionale që SPAK të bëjë sot arrestime të personave në kërkim. Siç është fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Sepse edhe ne kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë, apo të dënuar në mungesë, dënime të cilat nuk janë ekzekutuar. E kemi ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. Nuk mund të themi nëse është me dashje apo nga pamundësia, ama rezultati është i dukshëm.

A kemi një strategji? Është herët, nuk dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them, është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Braho.