Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump: Zelensky mund t'i japë fund luftës, por Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO

Trump: Zelensky mund t'i japë fund luftës, por Ukraina nuk do

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mundësinë të përfundojë luftën me Rusinë "nëse dëshiron", por ka përjashtuar mundësinë që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Trump tha gjithashtu se Ukraina nuk do të mund të rikthejë gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Moska në vitin 2014.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kyç, pasi Zelensky ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për takime në Shtëpinë e Bardhë mbi të ardhmen e Ukrainës. Në këto bisedime janë të pranishëm edhe disa liderë kryesorë të Bashkimit Evropian.

I dërguari i posaçëm i Trump ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar të ofrojë garanci të forta sigurie për Ukrainën – përfshirë një mekanizëm mbrojtjeje të ngjashëm me atë të NATO-s.

Nga ana tjetër, Zelensky ka përsëritur kërkesën e tij për garanci sigurie, duke mirëpritur më herët “vendimin historik” të Shteteve të Bashkuara për të ofruar mbrojtje në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

BBC raporton se takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë mund të rezultojë edhe më vendimtar për të ardhmen e Ukrainës sesa samiti i javës së kaluar mes SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë.

Përveç presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump do të mirëpresë sot në Shtëpinë e Bardhë edhe një numër liderësh evropianë.

Në këtë takim pritet të marrin pjesë:

Kryeministri britanik Keir Starmer
Presidenti francez Emmanuel Macron
Kancelari gjerman Friedrich Merz
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni
Presidenti finlandez Alexander Stubb
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen
Në një përditësim në rrjetin Truth Social, Trump e quajti këtë një "ditë të madhe" dhe një "nder të madh" për të pritur "kaq shumë liderë të mëdhenj evropianë"./L.F-dritare.net