
Shpresa për bisedime paqeje: Trump optimist, Europa skeptike ndaj Putinit
Dritare.net
Kremlini ka minimizuar pritshmëritë për një takim të afërt mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, ndonëse presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur thirrjet që dy liderët të takohen për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë.
Trump, i cili javën e kaluar u takua me Putinin në Alaskë dhe më pas priti Zelenskyn dhe shtatë liderë europianë në Shtëpinë e Bardhë, tha se do të ishte “më mirë” që dy liderët të takoheshin pa të, por shtoi se do të merrte pjesë “nëse është e nevojshme”. Ai pranoi se konflikti është i vështirë për t’u zgjidhur dhe se Putin mund të mos ketë interes për paqe.
Putin i tha Trumpit se ishte i hapur për ide bisedimesh direkte, por një ditë më vonë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov theksoi se çdo takim do të kërkonte përgatitje graduale në nivel ekspertësh. Edhe përfaqësues të tjerë rusë thanë se askush nuk e ka refuzuar mundësinë e dialogut, por se ai nuk duhet të zhvillohet thjesht për hir të një takimi.
Ndërkohë, liderët europianë shfaqen më skeptikë. Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti Putinin “një grabitqar” dhe shprehu “dyshime të thella” mbi vullnetin e tij për paqe, ndërsa presidenti finlandez Alexander Stubb tha se Putin rrallë mund të besohet.
Trump ndërkohë ka ndryshuar tonin, duke kaluar nga ideja e një armëpushimi të shpejtë, drejt mbështetjes për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Ai ka pranuar se garancitë e sigurisë për Ukrainën janë thelbësore, një pikë që Zelensky dhe aleatët europianë e kanë theksuar.
Në Washington po diskutohen gjithashtu plane të një “koalicioni të gatshëm” të udhëhequr nga Franca dhe Britania për një forcë sigurie që mund të vendoset në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Megjithatë, realiteti mbetet i vështirë: Putin e konsideron Zelenskyn të paligjshëm dhe vazhdon të kërkojë ndryshim të udhëheqjes në Kiev si kusht për armëpushim. Ndërsa lufta vijon me dhjetëra mijëra viktima dhe shkatërrim të gjerë, perspektiva e një takimi të drejtpërdrejtë mbetet e paqartë./L.F-dritare.net

















