Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump paralajmëron Starmer: Kujdes, biznesi me Kinën është i rrezikshëm!

Trump paralajmëron Starmer: Kujdes, biznesi me Kinën është i

Donald Trump ka paralajmëruar se është shumë e rrezikshme që Mbretëria e Bashkuar të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik me Kinë, në një kohë kur Keir Starmer ndodhet për vizitë zyrtare në vend.

Presidenti amerikan reagoi ndaj marrëveshjeve të njoftuara mes Londrës dhe Pekinit për rritjen e biznesit dhe investimeve, të cilat u konfirmuan pas takimit të Starmer me Xi Jinping. Duke folur në premierën e një dokumentari për bashkëshorten e tij Melania, Trump iu referua Xi-t si një “mik” dhe tha se e njeh presidentin kinez “shumë mirë”.

Në përgjigje të komenteve të Trump, Downing Street bëri të ditur se Uashingtoni kishte qenë në dijeni paraprakisht për vizitën dhe objektivat e saj, duke theksuar gjithashtu se vetë Trump pritet të vizitojë Kinën në muajin prill.

I pyetur nga gazetarët se çfarë mendonte për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kinën, Trump nuk dha detaje të tjera, por e zhvendosi fokusin tek Kanadaja, duke paralajmëruar se bashkëpunimi i saj me Kinën ishte “edhe më i rrezikshëm”. Ai shtoi se Kanadaja “nuk po ecën mirë” dhe se Kina “nuk mund të jetë zgjidhja”.

Komentet vijnë pasi presidenti amerikan ka kërcënuar më herët vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë, nëse ajo do të vijojë marrëveshjet ekonomike me Kinën pas vizitës së kryeministrit kanadez Mark Carney në Pekin.

Nga ana tjetër, Starmer ka vlerësuar marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës si “në një fazë të mirë dhe të fortë”. Ai deklaroi se takimet me Xi kishin siguruar “pikërisht nivelin e angazhimit që pritej” dhe se Londra kishte “shumë për të ofruar”.

Në Forumin e Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kinë, të mbajtur në Bankën e Kinës në Pekin, Starmer theksoi se janë bërë përparime konkrete, ndërsa nga vizita kanë dalë disa rezultate të prekshme, përfshirë:

marrëveshje për udhëtimin pa viza,
ulje tarifash për uiskin britanik,
si dhe një investim prej 10.9 miliardë paundësh nga kompania farmaceutike AstraZeneca për ndërtimin e objekteve prodhuese në Kinë.
Po ashtu, u njoftuan marrëveshje bashkëpunimi në fusha si lufta kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm.

Sipas Departamentit Britanik për Biznes dhe Tregti, SHBA-të ishin partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2025, ndërsa Kina renditej e katërta.

Kryetari i Dhomës Britanike të Tregtisë në Kinë, Chris Torrens, e cilësoi vizitën e Starmer si “të suksesshme”, duke theksuar se ka kuptim që Mbretëria e Bashkuar të shohë nga Kina si një nga partnerët e saj kryesorë tregtarë. Ai shtoi se edhe liderë të tjerë perëndimorë pritet të vizitojnë Pekinin, përfshirë Trump.

Vizita e Starmer në Kinë e para e një kryeministri britanik që nga viti 2018 është kritikuar nga opozita, e cila paralajmëron për rreziqe ndaj sigurisë kombëtare dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina. OKB-ja ka akuzuar Pekinin për shkelje serioze ndaj popullsisë ujgure dhe grupeve të tjera etnike, si dhe për trajtimin e manjatit pro-demokraci nga Hong Kongu, Jimmy Lai.

Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, akuzoi Starmer se po “shkëmbente sigurinë kombëtare me përfitime ekonomike”, ndërsa qeveria britanike ka mbrojtur vendimet e saj, duke deklaruar se çdo rrezik po menaxhohet në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës./E.P-dritare.net