Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Situata me zjarret. Ministri Vengu shkon në Delvinë: Mbyllëm tunelin e Skërficës, 8 banesa të djegura në total

Situata me zjarret. Ministri Vengu shkon në Delvinë: Mbyllëm



Zjarret e përhapura në disa fshatra të Delvinës kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë me urgjencë, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka qenë sot në terren për të ndjekur nga afër situatën. Në fshatin Palavli, ku flakët janë afruar pranë banesave, është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve.

Ministri Vengu është takuar me banorët, duke i siguruar se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se strukturat janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mëtejshëm.

“Kemi bërë mbylljen e përkohshme të tunelit të Skërficës për arsye të tymit që të mos shkaktohen aksidente të mundshme deri në stabilizimin e situatës. Vijon qarkullimi nga ana e Muzinës. Do verifikojmë a janë të sigurta banesat. Nga momenti që i kemi verifikuar të gjitha, që nuk ka vatra të vogla dhe të fshehura, do ju njoftojmë që të riktheheni që sonte. Pak durim,” u shpreh ministri gjatë një bisede me një banor të evakuuar.

Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar forcat e zjarrfikëses, ushtrinë dhe emergjencat civile për të ndalur përhapjen e zjarrit dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit. Autoritetet vijojnë të apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve./K.C/dritare.net