Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Situata e zjarreve në vend, ndërhyrje intensive nga toka dhe ajri!

Situata e zjarreve në vend, ndërhyrje intensive nga toka dhe ajri!

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, nga 18 që u evidentuan.

Këto janë të dhënat nga Ministria e Mbrojtjes, që ka bërë bilancin e orëve të fundit.

Në fshatin Dhivër të Finiqit vazhdon situata problematike. Vatra e zjarrit u mbajt nën monitorim gjatë natës së kaluar. Ditën e sotme raportohet se situata për shkak të erës është problematike. Në mbështetje të forcave në terren po shkon helikopteri i Forcës Ajrore.

Edhe në fshatin Lofkënd të Mallakastrës falë ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri mbetet aktiv vetëm në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Ditën e sotme vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit me mbështetjen e 25 efektivëve të FA dhe forcave të tjera nga strukturat e bashkisë.

Zjarri është aktiv edhe në fshatin Malaj të Epërm në Rrëshen në Bashkinë Mirditë. Flakët po djegin një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujëhedhëse. Gjatë ditës së djeshme në zonë u angazhuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Zjarrfikësit po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Ditën e sotme në mbështetje të forcave po operojnë edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në vendin e quajtur “Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë i Bashkisë së Klosit, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

Në fshatin Lleshaj të Gramshit, vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mosriaktivizime të mundshme.

Në Bërzhitë të Tiranës, zjarrfikësit vendosën nën kontroll vatrën e zjarrit dhe është drejt izolimit. Gjatë natës zona u mbajt në monitorim. Ditën e sotme në terren ka vijuar puna për shuarjen përfundimtarë.

Së fundmi, midis fshatrave Turan dhe Dukaj të Tepelenës po punohet nga forcat për shuarjen e zjarrit që ra një ditë më parë.

Kujtojmë se gjatë të premtes, në vendin tonë erdhën 2 avionë nga Suedia dhe 1 avion Canadair nga Kroacia që u aktivizuan përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve.

Dy avionët suedezë u angazhuan në Delvinë, ndërsa avioni kroat ndihmoi nga ajri në zonën e Mallakastrës.