
Avokatura e Shtetit: Fokus Media News ka humbur gjithë shkallët e gjykimit. 25 korriku ka qenë afati i fundit i lirimit
Dritare.net

Avokatura e Shtetit ka njoftuar sot përfundimin e një procesi gjyqësor të zgjatur me shoqërinë “Fokus Media News” lidhur me ambientet në pronësi të shtetit, pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në zonën kadastrale nr. 8170, të cilat, sipas autoriteteve, janë mbajtur pa titull ligjor për më shumë se tre vjet pas mbarimit të kontratës së qirasë.
Sipas Avokaturës, kontrata përfundoi më 22 maj 2022 dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë i kërkoi subjektit lirimin e pronës brenda 25 korrikut të atij viti. Pavarësisht njoftimit, kompania nuk e dorëzoi vullnetarisht pronën, por nisi procese gjyqësore dhe kërkoi masa të përkohshme sigurimi për të penguar ekzekutimin.
Çështja ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke përfshirë katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025 nga Gjykata e Apelit Administrativ, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të ambienteve. Gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk pengohet, pasi ambientet e punës mund të sigurohen në hapësira të tjera.
Në mars 2025, me vendim të Këshillit të Ministrave, prona iu kalua shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., për përdorim ekskluziv në projektin strategjik të bashkëprodhimit të mjeteve motorike, me synim rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, hapjen e vendeve të reja pune në zonën e Shkozës dhe forcimin e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.
Avokatura e Shtetit bën të ditur se pas rrëzimit përfundimtar të pretendimeve të palës private, janë nisur procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës dhe lirimin e saj. Institucioni thekson se mbetet i angazhuar të përdorë çdo mjet ligjor për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.
Reagimi i plotë:
Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.
Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.
Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.
Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike. Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive. Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.
Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues./dritare.net

















