
Si sot 75 vjet më parë u vra Heroi i Popullit, Bardhok Biba
Dritare.net
Në Qafën e Valmirit në zonën e Kaçinarit të Mirditës u vra Bardhok Biba (1920-1949). Pjesëmarrës i Luftës ANÇ, veprimtar politik dhe funksionar i shtetit në vitet e para pas çlirimit, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Bulshar të Oroshit (Mirditë), në vitin 1920. Ndoqi gjimnazin e shtetit në Shkodër, ku përqafoi idetë komuniste dhe u aktivizua kundër pushtetit monarkist të Zogut. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në tetor 1943, partizan në çetën Pukë-Mirditë (1943), komisar politik në çetën partizane të Bunës e më pas në çetën e Dukagjinit dhe të Pukë-Mirditës (1944). Pas çlirimit u ngarkua me detyra të rëndësishme partie e shtetërore në rrethin e Mirditës, si komisar i komandës së vendit e sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Rrethit (1945- 1946), kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit (1948), sekretar politik i Komitetit të Partisë të Rrethit (1949). Ishte deputet në Kuvendin Popullor. Punoi për rimëkëmbjen e vendit. U vra më 7 gusht, në Qafën e Valmirit në zonën e Kaçinarit të Mirditës, nga grupe të armatosura të Komitetit të Maleve.
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018./dritare.net

















