Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si i mashtronin shqiptarët firmat piramidale online!

Si i mashtronin shqiptarët firmat piramidale online!

Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë zbuluar një skemë mashtruese piramidale online, ku qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt nga investimet në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Përmes aplikacioneve si Telegram, pjesëmarrësit udhëzoheshin të sillnin persona të tjerë në sistem, duke rritur “fitimet” e premtuara. Në realitet, vetëm nivelet më të larta përfitonin, ndërsa shumica e qytetarëve humbnin kursimet e tyre.

Hetimi i koduar “XUEX” zbardhi se rrjeti përdorte platforma online dhe teknologji të sofistikuara për të maskuar aktivitetin e paligjshëm. Kriptomonedhat u përdorën për të vështirësuar gjurmimin dhe për të dhënë përshtypjen se investimi ishte modern dhe i sigurt.

Operacioni dhe të arrestuarit
Falë hetimeve disa mujore dhe bashkëpunimit mes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, u finalizua operacioni ku u arrestuan 6 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

Të arrestuarit:

Arbër Çela, 38 vjeç, Lushnje
Emanuel Taullau, 21 vjeç, Lushnje
Flavio Mukaj, 23 vjeç, Lushnje
Marius Kodra, 28 vjeç, Tiranë
Brunilda Todi, 38 vjeçe, Divjakë
Brunilda Ndini, 38 vjeçe, Divjakë
Në kërkim:

E. Sh., 35 vjeç, Divjakë
A. Sh., 29 vjeç, Divjakë
Gjatë operacionit u sekuestruan 50 celularë, 11 kompjutera, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1,750 dollarë, 340 franga dhe 6 llogari kriptomonedhash, që dyshohet se u përdorën për të kanalizuar të ardhurat e aktivitetit kriminal.

Mesazh për qytetarët:
Autoritetet bëjnë thirrje të mos besojnë premtime për fitime të shpejta dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshuar. Skemat piramidale janë mashtrime të sofistikuara, ku humbin kryesisht investitorët më të pambrojtur./K.C/dritare.net