
Ambasadori i Ukrainës pëson infarkt gjatë vizitës në Voskopojë
Dritare.net
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, ka pësuar një infarkt gjatë një vizite private në Voskopojë.
Sipas informacioneve, diplomati ukrainas ndodhej në shoqërinë e bashkëshortes së tij për të vizituar zonën, pa asnjë aktivitet zyrtar në agjendë. Teksa po shijonin turin turistik, Shukrov ka shfaqur probleme të menjëhershme shëndetësore, duke bërë që të afërmit dhe qytetarët e pranishëm të njoftojnë menjëherë shërbimin e urgjencës.
Fillimisht ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe arritën të stabilizonin gjendjen e tij. Pas ekzaminimeve të para, për shkak të nevojës për kujdes më të specializuar, ambasadori u transportua menjëherë me helikopter drejt Tiranës.
Burime mjekësore bëjnë me dije se aktualisht gjendja shëndetësore e ambasadorit Shukrov paraqitet stabël, ndërsa ai ndodhet nën monitorimin e mjekëve kardiologë në kryeqytet./K.C/dritare.net

















