
Fotot nga protesta/ Haga mbushet me shqiptarë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Dritare.net
Përplot është mbushur sot Haga me shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora. Me flamuj kuqezi dhe parulla, mijëra qytetarë kanë marshuar drejt Gjykatës Speciale, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas pesë vitesh paraburgim, procesi gjyqësor i cilësuar nga shumëkush si i tejzgjatur dhe me “shije të keqe ndaj drejtësisë”, i ka çuar shqiptarë nga mbarë bota të grumbullohen në Hagë.
Sipas organizatorëve, mbi 5 mijë pjesëmarrës kanë qenë të pranishëm pranë parkut përballë Gjykatës Speciale, ku është vendosur edhe një tribunë për fjalime.
“Ne po përballemi me një padrejtësi të pafalshme, që po shkatërron jetën e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne”, deklaroi njëri nga protestuesit.
Protestuesit theksuan se do të vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre deri në lirimin e ish-komandantëve të UÇK-së, ndërsa mesazhi i përbashkët i tubimit ishte i qartë: Liri për çlirimtarët!/K.C/drtiare.net

















