Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Seanca në Kushtetuese për shkarkimin, Veliaj të premten në sallë

Seanca në Kushtetuese për shkarkimin, Veliaj të premten në

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet të jetë i pranishëm të premten, më 31 tetor, në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.

Gjykata Kushtetuese i ka dërguar shkresë njoftimi më 9 tetor Veliajt, aktualisht në paraburgim, për datën dhe orën e zhvillimit të seancës, duke i kërkuar të shprehej nëse dëshiron të marrë pjesë personalisht në proces.

Më pas, në 13 tetor, Kushtetuesja ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave për shoqërimin e Veliajt në rast se ai do të konfirmonte pjesëmarrjen.

Pas shprehjes së vullnetit nga ana e Veliajt për të qenë i pranishëm, Gjykata ka njoftuar edhe SPAK më 20 tetor 2025. Megjithatë, burime pranë Kushtetueses theksojnë se në raste të tilla, procedura ndiqet nga Drejtoria e Burgjeve dhe nuk kërkohet leje e veçantë nga Prokuroria e Posaçme.

Seanca publike do të shqyrtojë ankimin e Veliajt kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që çoi në shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës./L.F-dritare.net