Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Mos e hapni këtë e-mail, policia paralajmëron për mashtrim online me rrezik

Mos e hapni këtë e-mail, policia paralajmëron për mashtrim

Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me qarkullimin e disa e-mailave të rremë që po shpërndahen në emër të këtij institucioni dhe të disa organizatave të tjera vendore e ndërkombëtare të sigurisë.

Sipas Policisë, këto e-maila përmbajnë dokumente të falsifikuara me tituj si “Ftesë/Arrestim i menjëhershëm”, ku pretendohet se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, FBI, INTERPOL apo Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik. Në përmbajtje, thuhet se marrësi i e-mailit ka “24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë”, gjë që Policia e Kosovës e cilëson si mashtrim të plotë.

“Këto nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, por e-maila të falsifikuara që po përdoren për qëllime të caktuara, përfshirë mashtrime dhe dezinformim,” thuhet në komunikatën e PK-së.

Institucioni thekson se ka nisur hetime intensive në bashkëpunim me organet e drejtësisë për të identifikuar dhe ndëshkuar personat që qëndrojnë pas këtyre veprimeve të paligjshme. Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të mos hapin apo përgjigjen ndaj e-mailave të dyshimtë. Çdo rast i tillë mund të raportohet në adresën zyrtare të e-mailit: [email protected]./dritare.net