Ministri Blendi Gonxhja takim në Abu Dhabi me CEO-n e ETHARA për projektin “Auto Moto Park Albania”
Dritare.net

Ministri Blendi Gonxhja ndodhet në Abu Dhabi, ku zhvilloi një takim të rëndësishëm me z. Saif Rashid Al Noaimi, CEO-n e kompanisë ETHARA, e cila menaxhon pistën ikonike të Formula 1 Yas Marina Circuit — një prej destinacioneve më prestigjioze sportive dhe turistike në botë.

Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave në kuadër të projektit strategjik “Auto Moto Park Albania”, që po merr formë në Elbasan. Ky projekt synon të pozicionojë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sporteve motorike, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme rajonale për garat automobilistike, turizmin dhe industrinë e eventeve.

Yas Marina Circuit, e ndërtuar në vitin 2009, është shembull i suksesshëm i ndërthurjes së sportit elitar me turizmin luksoz dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë frymë, bashkëpunimi me ETHARA pritet të sjellë ekspertizë të vlefshme në ndërtimin dhe menaxhimin e Auto Moto Park Albania, si një projekt modern, inovativ dhe me impakt të gjerë në ekonominë kombëtare.

Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme bashkëkohore që do të fuqizojë sportin shqiptar, do të nxisë inovacionin dhe do të vendosë Shqipërinë në një dimension të ri të zhvillimit sportiv dhe turistik./L.F-dritare.net