
Rama: Zgjedhjet në Tiranë janë të jashtëzakonshme. Veliaj u mor pa gjyq
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama, në hapjen e podkastit të tij të radhës, ka folur për zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen më 9 nëntor në Bashkinë e Tiranës dhe në disa bashki të tjera të vendit. Ai i cilësoi ato në kryeqytet si “të jashtëzakonshme”, për shkak të situatës së krijuar pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Të tjerat janë zgjedhje krejt normale, ndërsa në Tiranë janë të jashtëzakonshme dhe jo sepse Tirana është kryeqyteti, por sepse mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë,” tha Rama.
Sipas tij, “Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim, ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde të dyshimta.”
Rama shtoi se shkarkimi i Veliajt ishte “një domosdoshmëri për Tiranën”, por burgosja e tij erdhi si pasojë e një procesi që, sipas tij, ngre shumë pikëpyetje mbi mënyrën si po vepron drejtësia.
Në të njëjtin podkast, kreu i qeverisë komentoi edhe kritikat e ditëve të fundit ndaj presidentit Bajram Begaj, pas dekretimit të zgjedhjeve të parakohshme. Ai mbrojti vendimin e presidentit dhe vlerësoi këshilltarin e tij juridik, Ilir Rusmalin, për pavarësinë dhe integritetin profesional.
“Ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit,” u shpreh Rama, duke kujtuar dorëheqjen e Rusmalit nga posti i ministrit të Drejtësisë në qeverinë e PD-së pas tragjedisë së Gërdecit.
“Tirana nuk mund të presë më. Kush thotë të kundërtën nuk e ka idenë se çfarë duhet që kjo lokomotivë të ecë me ritmin e duhur,” përfundoi Rama./L.F-dritare.net

















