Rama uron besimtarët bektashianë për festën e Sulltan Novruzit!
Dritare.net
Sot më 22 mars festohet Sulltan Novruzi, ose siç njihet, Viti i Ri persian. Novruz në persisht do të thotë “ditë e re” dhe është festuar për më shumë se 3000 vjet. Festa shënon gjithashtu ditën e parë në kalendarin iranian. Kryeministri Edi Rama ka uruar Komunitetin Bektashian për këtë festë.
"Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”, shkruan kreu i qeverisë. Sot besimtarët bektashinj vizitojnë njëri-tjetrin, kryejnë ritet fetare, ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe sipas traditës shpërndajnë qumësht dhe sherbet duke simbolizuar kështu pastrimin e trupit dhe shpirtit. Në ditën e festës, mbillen lule, ose vendosen degë ulliri në hyrje të portave të shtëpive. Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat./L.F-dritare.net