
Rama: Tallavaja e Beach Bareve që streson gjithë dynjanë, duhet të ndalet
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka dhënë udhëzime të qarta për ridimensionimin e beach bareve në bregdetin shqiptar, duke theksuar se ato nuk duhet të funksionojnë vetëm për të nxjerrë fitime, por për të shërbyer vizitorët pa dëmtuar mjedisin dhe komunitetet përreth.
“Tallavaja e Beach Bareve të vendosura jo për të shërbyer, por për të stresuar gjithë dynjanë, duhet të ndalet. Muzika jashtë orëve të plazhit do të ndalohet plotësisht, dhe gjatë orëve të plazhit muzika duhet të jetë për vizitorët e beach barit, jo për ata që kalojnë në zonat përreth,” tha Rama.
Ai shtoi se plazhet do të ridimensionohen në mënyrë që numri i beach bareve dhe mënyra se si lidhen me shërbimin të jetë i organizuar dhe i kontrolluar, duke ruajtur ekuilibrin mes argëtimit dhe qetësisë së komuniteteve.
Rama paralajmëroi gjithashtu se bashkitë do të kenë përgjegjësinë për administrimin e hapësirave publike, ndërkohë që qeveria do të angazhohet për trajtimin e mbetjeve dhe mbështetjen e pastrimit në të gjithë territorin kombëtar.
Rama tha se qeveria synon që plazhet dhe shërbimet turistike të rrisin cilësinë e përvojës për vizitorët, duke eliminuar praktikat që e dëmtojnë imazhin e turizmit dhe qetësinë e banorëve përreth./L.F-dritare.net

















