
Rama: Ishulli i Sazanit nuk është shitur dhe nuk do të shitet ndonjëherë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. Ai hodhi poshtë pretendimin e mediave italiane që thanë gjatë verës se ishulli i është shitur Jared Kushner-it, duke u shprehur se nuk është shitur e as nuk do të shitet asnjëherë. Ai tha se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty.
“Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. As nuk është shitur dhe as nuk do të shitet asnjëherë. Ishulli i Sazanit është një pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar ku ne do të jemi partnerë. Qeveria shqiptare do të jetë partnere me kompaninë apo me grupin që do të investojë dhe negociatat e partneritetit nuk kanë mbaruar ende”, u shpreh Rama për gazetarin Blendi Fevziu.
I pyetur nëse marrëveshja për Sazanin do të kalojë në Kuvend, Rama u përgjigj: Padiskutim.
Ai shtoi se si Sazani dhe Zvërneci janë ende në projektim, duke theksuar se marrëveshja për ishullin e Sazanit nuk është përfunduar ende.
“Marrëveshja nuk është kryer akoma. Nuk e kemi akoma një marrëveshje të përfunduar për Sazanin. Zvërneci është histori private”, tha Rama.
Kryeministri mohoi që t’ia ketë dhënë “dritën jeshile” projektit pasi Donald Trump u zgjodh president. Arsyeja pse u bë publike pasi Trump mori detyrën, sipas tij, është vetëm për shkak se nuk ishte plotësuar procesi. Rama theksoi se mediat ndërkombëtare e kanë keqinterpretuar duke e paraqitur si histori politike duke nënvizuar se kjo çështje “nuk ka lidhje fare me politikë”.
“Ata kanë bërë një punë dhe është për të ardhur keq mënyra si është interpretuar nga mediat ndërkombëtare ky proces qysh në fillim. Është paraqitur si një histori politike. Ndërkohë që kur unë kam takuar Jared-in dhe ne kemi filluar të punojmë për këtë gjë, Donald Trump-i nuk dihej a do shkonte në Shtëpinë e Bardhë, apo do të shkonte në burg? Nuk ka lidhje fare me politikë kjo. Për mua ata kanë qenë investitorë amerikanë dhe janë investitorë amerikanë siç janë të gjithë amerikanët”, tha Rama.
I pyetur nëse do e jepte projektin nëse fituese në zgjedhjet në SHBA do të dilte Kamala Harris, Rama u përgjigj kështu:
“Unë e kam bërë këtë bisedë me palën tjetër kur jam pyetur. Këtu nuk mundet të ketë asnjë lloj diskutimi që Shqipëria nuk është një vend ku mund të transferohen çfarëdo lloj konfliktesh apo problemesh që mund të jenë midis palësh në Amerikë, pasi këtu çdo amerikan që vjen është mik dhe çdokush që do të investojë është i mirëpritur. Për më tepër raporti im me të ka qenë një raport shumë miqësor. Nuk ka pasur asnjëherë diskutim për këtë. Edhe kërkesa e tij dhe e grupit të tij dhe kërkesa jonë ka qenë simetrike. Çdo gjë duke respektuar ligjin dhe procedurat”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se për disa muaj do të jetë gati projekti i plotë që do t’i paraqitet publikut. Sipas Ramës, po bëhet një punë e madhe për ta kthyer Sazanin në një destinacion ëndrre.
“Procedurat nuk do të marrin gjatë sepse shumë hapa janë bërë. Besoj për disa muaj ne do kemi masterplanin e plotë, projektin e plotë që do t’i paraqitet publikut. Ajo që është më e rëndësishmja është që mënyra si po punohet do të vendosë një standard të ri për zhvillimet në infrastrukturën e mikpritjes, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mesdhe. Po bëhet një punë e jashtëzakonshme me arkitektë, me inxhinierë të mjedisit, me arkitektë të peizazhit. Po bëhet diçka për të bërë një destinacion ëndrre”, tha Rama./tvklan.al

















