Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mësuesit nuk lejohen më të postojnë çfarë të duan në rrjete sociale!

Mësuesit nuk lejohen më të postojnë çfarë

Ministria e Arsimit ka publikuar Kodin e ri të Etikës për mësuesit parauniversitarë, i cili përcakton rregulla të qarta mbi etikën, sjelljen, marrëdhëniet me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, si dhe përdorimin e teknologjisë e rrjeteve sociale.

Të jesh mësues i arsimit bazë apo të mesëm në Shqipëri tashmë do të harrosh postimet e papërshtatshme në rrjetet sociale.

Me miratimin e Kodit të ri të Etikës, Ministria e Arsimit ia ndalon çdo arsimtari postimin e imazheve apo videoje që do të kompromentonin misionin e tij, atë të edukimit.

Në pikën 1 të nenit 9 të Kodit thuhet gjithashtu se “Mësuesi kujdeset që ndërveprimi në rrjete apo platforma sociale të mbështetet gjithmonë në standardet etike të komunikimit në publik”.

Në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme të përditshmërisë, në Kodin e ri Etik për mësuesit sanksionohet edhe detyrimi i mësimdhënësve për edukimin e nxënësve për rreziqet online.

“Mësuesi nxit etikën dhe sjellje të përgjegjshme në mjediset e institucionit arsimor paraunversitar, jashtë tij si edhe në internet, duke i mësuar dhe edukuar nxënësit rreth përdorimit të sigurt të platformave dhe rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i platformave jo të sigurta. Mësuesi edukon nxënësit për të dalluar informacionin e rremë dhe nxit të menduarin kritik”, thuhet në Kod.

Kodi i ri Etik që zëvendëson atë të shkruar 12 vite më parë, sanksionon se edhe veshja dhe paraqitja e jashtme përfshihen në udhëzimet e reja, duke i dhënë rëndësi mënyrës si mësuesi paraqitet përballë nxënësve.

Ky dokument është një udhëzues i qartë mbi etikën, sjelljen dhe përgjegjësitë e mësuesit, jo vetëm në raport me nxënësit, por edhe me prindërit, kolegët dhe vetë komunitetin.

Mësuesi përdor me nxënësit gjuhë të qartë, edukative dhe motivuese. Ai respekton privatësinë dhe dinjitetin e çdo nxënësi.

Vëzhgon, monitoron, parandalon dhe ndërhyn menjëherë në rastet e bullizmit apo çdo formë dhune apo përjashtimi social midis nxënësve brenda shkollës.

Mësuesi është i detyruar të dëgjojë, të informojë dhe të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme me prindërit, duke i konsideruar ata partnerë të rëndësishëm në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës./E.P-dritare.net