
Rama flet për turizmin: Shqipëria ka paga njësoj ose më të mira se sa Greqia!
Dritare.net
Gjatë takimit me turoperatorët, hotelierët dhe profesionistë të turizmit në Durrës, kryeministri Rama tha se tashmë duket qartë që falë angazhimit maksimal, turizmi ka transformuar imazhin e Shqipërisë. Kryeministri shtoi se vendi ynë ka paga më të mira ose njësoj me Greqinë.
"Pagat janë rritur në mënyrë të ndjeshme në sektorin e turizmit. Tani të gjithë e kanë kuptuar se krahu i lirë i punës nuk mund të jetë një avantazh konkurruese. Ne kemi paga njësoj ose më të mira se sa në Greqi në një nivel të caktuar të hotelerisë tonë.
Sot kemi rreth 40 hotele që janë me brende të mëdha ndërkombëtare me pesë yje. Kemi një volum projektesh në vazhdim që janë një gjeneratë tjetër e turizmit e arkitekturës e të kuptuarit të cilësisë dhe e volumit financiar që është përgatitur të investohet në Shqipëri nga investitorë vendas dhe të huaj. Edhe volumi i investimeve të qeverisë dhe bashkive është rritur në funksion të turizmit dhe do të vazhdojë të rritet. Megjithatë duhet ta kemi të qartë se jemi akoma në një moment të brishtë. Nëse nuk investojmë në drejtimet e duhura mund ta humbim këtë volum. Për ta mbajtur këtë volum dhe për ta rritur në mënyrë të qëndrueshme duhet të jemi të qartë çfarë duhet të bëjë sektori privat dhe çfarë duhet të bëjë shteti. Dhe tani është koha që sektori privat çdo qindarkë ta investojë në cilësi.", tha Rama./K.C/dritare.net

















