
Rama replika me historianin për Tony Blair: Mos flit për të në praninë time!
Dritare.net
Podcasti i kësaj të shtune i kryeministrit Edi Rama është me historianin, autorin dhe gazetarin e famshëm britanik Timothy Garton Ash. Një bisedë për historinë, Europën, Brexit, duke cekur herë pas here, të shkuarën dhe të ardhmen e vendeve evropiane. Gjatë bashkëbisedimit, pati edhe replika mes kryeministrit Edi Rama dhe historianit, për ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Timothy Garton Ash: Po dhe, meqë ra fjala, duke qenë se, më herët, folëm të dy pak rreth migracionit, mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra – e tija ishte një periudhë e mrekullueshme e historisë britanike – gabimi që bëri ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren – meqë ra fjala, vetëm 52 për qind me 48 për qind, mos harro, nuk ishte aspak e pashmangshme – ishte “Rimerr kontrollin”. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit). Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, së pari, më duhet t’ju informoj që jam shumë i hapur, por mbetem fanatik për disa gjëra dhe një prej tyre është: “Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek.
Timothy Garton Ash: Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij.
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite? Nuk mendoj se është shumë korrekte, që ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, hapje, hapje ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje, mbyllje, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair! Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”. Megjithatë, shumë kohë më parë, ai e ka thënë dhe e ka propozuar një mënyrë për të kontrolluar (imigracionin).Ai ka qenë një prej atyre njerëzve që ka paraqitur propozime për kontrollin. Mund të isha shumë mirë biografi i tij, por jo si ju, nga brenda, por nga jashtë.
Timothy Garton Ash: Unë kam folur me Tony-n për këtë libër. Shkova dhe do e shihni në libër, fola me të rreth kësaj dhe besoj që ai do të ishte dakord. Britania ishte e vetmja anëtare e BE-së, që, me zgjerimin e madh në vitin 2004 dhe prapë në vitin 2007, me Bullgarinë dhe Rumaninë, tha “nuk ka kufi, çdokush mund të hyjë” dhe pastaj ata miliona europianolindorë që erdhën në Britani – që për mua është shumë mirë, se mund të flas polonisht.../L.F-dritare.net

















