
Rama reagon pasi batuta iu bë virale: Humor jo helm. Trump solli paqe, ku të tjerët dështuan
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale pas jehonës ndërkombëtare të një deklarate të bërë gjatë samitit, duke sqaruar se bëhej fjalë për një batutë miqësore dhe jo një mesazh politik. Rama thekson se fjalët e tij janë keqinterpretuar nga mediat, ndërsa vlerëson rolin e presidentit amerikan Donald Trump në rikthimin e paqes në agjendën perëndimore.
Postimi i Ramës!
"Është vërtet e pabesueshme mënyra se si funksionon sot media, dhe se si e ashtuquajtura “viralitet” mund të shtrembërojë kaq lehtë realitetin. Një fjali e thënë me humor, në frymën e miqësisë, papritmas kthehet në titull botëror të një samiti të tërë mes dhjetëra kombesh, ndërkohë që gjithçka tjetër, përmbajtja reale, bëhet e parëndësishme. Por po, ishte kënaqësi sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në praninë e mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, t’i referohesha një lapsusi të Presidentit Trump, se madje edhe Shqipëria kishte arritur të bënte paqe me Azerbajxhanin, ndërsa Emmanuel vetë kishte punuar pa u lodhur, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Një shaka e lehtë, një moment miqësor. Sigurisht, nuk është problem nëse përhapet, por ta kthesh atë në helm politik është thjesht e padrejtë. Prandaj le të vendosim gjërat në vendin e tyre:
E vërteta është se Presidenti Trump ka treguar veten si një lider që i riktheu fjalës ‘paqë’ vendin e saj në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai arriti paqe atje ku të tjerët provuan, por dështuan, dhe vazhdon ta ndjekë atë me këmbëngulje.
Ajo bisedë nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori të mirë mes njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump.", shkruan Rama./K.C/dritare.net

















