
Batuta e Ramës dhe Macron bën xhiron e mediave botërore!
Dritare.net
Mediat ndërkombëtare, si The Telegraph, Politico dhe të tjera, kanë shkruar sot për një moment humori që përfshiu liderët botërorë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, me protagonist kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kryeministri Rama u filmua duke bërë shaka me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, lidhur me gabimet gjeografike të Presidentit amerikan Donald Trump.
Rama iu drejtua Macron duke thënë me humor:
“Duhet të na kërkosh falje, sepse nuk na uruat për marrëveshjen e paqes që presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”
Aliyev shpërtheu në të qeshura, ndërsa Macron buzëqeshi dhe iu përgjigj: “Më vjen keq për këtë.”
Trump, shkruan Politico, ka ngatërruar disa herë Armeninë me Shqipërinë gjatë diskutimeve për përpjekjet e tij diplomatike për të zgjidhur tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ai madje ka pretenduar se ka ndërmjetësuar marrëveshje midis “Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, gjë që ka bërë që liderët botërorë të qeshin dhe të përdorin humorin për të komentuar gabimet e tij.
The Telegraph thekson se momenti i Ramës, me dorën mbi supin e Macron, u kap në video dhe është bërë burim i gjerë humoristik në media ndërkombëtare, duke treguar si liderët evropianë reaguan ndaj ngatërresave të Trump. Në fakt, presidenti amerikan ndërmjetësoi një marrëveshje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë në gusht, duke i dhënë fund një konflikti që zgjati dekada, por që ai vazhdon ta thotë gabim.
Ky episod ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, duke treguar se edhe në samitet serioze, një dozë humori dhe ironie mund të ndodhë mes liderëve të fuqishëm botërorë./K.C/dritare.net

















