Rama përgëzon Klodian Brahon: Arritjet e tij të padiskutueshme do ta çojnë SPAK-un në tjetër nivel!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një deklaratë në lidhje me emërimin e kryeprokurorit të ri të SPAK-ut, Klodian Braho, i cili do të pasojë Altin Dumanin. Rama vlerësoi punën e Dumanit, duke e cilësuar si një figurë që ngriti SPAK-un në një nivel të ri dhe e bëri drejtësinë të duket si një realitet konkret, dhe jo thjesht një parrullë.
Për kryeprokurorin e ri, Rama shprehu besimin se ai do të çojë SPAK-un në një nivel tjetër profesional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjeter, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhe të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt. Për këtë i përcjell edhe njëherë Altin Dumanit shprehjen e respektit tim, si edhe i uroj çdo të mirë në vijim.
Ndërkohë që, kryeprokurorit të ri Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës - për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat apo me lojra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore.
Kam shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot”, tha Rama./dritare.net

