Pse disa dhurues sperme po bëhen prindër të qindra fëmijëve?
Dritare.net

Industria e dhurimit të spermës po rritet me shpejtësi dhe disa burra po bëhen biologjikisht prindër të qindra fëmijëve në vende të ndryshme të botës. Së fundmi, BBC raportoi për një rast shqetësues, ku sperma e një dhuruesi u shpërnda në 14 shtete dhe solli në jetë të paktën 197 fëmijë. Më vonë u zbulua se ai mbante një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit te disa prej fëmijëve.
Vetëm një numër shumë i vogël meshkujsh arrijnë të plotësojnë kriteret strikte për t’u bërë dhurues sperme, si cilësia e spermës, shëndeti i përgjithshëm dhe testet gjenetike. Për këtë arsye, sperma është një “burim i çmuar” dhe klinikat përpiqen ta përdorin sa më shumë për të përmbushur kërkesën në rritje, sidomos nga gra beqare ose çifte që nuk mund të kenë fëmijë ndryshe.

Nga ky grup i kufizuar dhuruesish, disa bëhen shumë më të kërkuar se të tjerët. Pamja fizike, gjatësia, ngjyra e syve dhe flokëve, apo edhe profesioni, ndikojnë në zgjedhjen e prindërve. Kjo ka bërë që sperma nga vende si Danimarka, e njohur si “sperma vikinge”, të jetë veçanërisht e preferuar dhe të eksportohet në mbarë botën.
Megjithatë, rregullat për numrin e fëmijëve që mund të ketë një dhurues ndryshojnë nga shteti në shtet. Kjo lejon që sperma e një burri të përdoret ligjërisht në shumë vende njëkohësisht, duke çuar në numra shumë të lartë fëmijësh, shpesh pa dijeninë e plotë të vetë dhuruesit.
Ekspertët paralajmërojnë për pasoja etike, psikologjike dhe shëndetësore, si rreziku i sëmundjeve gjenetike dhe fakti që fëmijët mund të kenë qindra gjysmë-vëllezër e motra. Për këtë arsye, po kërkohet vendosja e kufijve më të rreptë dhe krijimi i një regjistri europian për dhuruesit e spermës, për të kontrolluar më mirë këtë industri në rritje./K.C/dritare.net

