Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i kërkon Spiropalit përfshirjen e çështjes çame në bisedimet Shqipëri–Greqi
Dritare.net

Në prag te takimit midis Ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i është drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme Znj. Elisa Spiropali me kërkesën që çështja çame të përfshihet në agjendën e bisedimeve dypalëshe Shqipëri–Greqi.
Qëllimi është nxitja e një trajtimi institucional, në frymën e dialogut dhe të respektimit të të drejtave të shqiptarëve, siç parashikohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë:
E nderuar Znj. Ministre,
Në prag të takimit tuaj me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, dëshiroj t’ju përcjell, në mënyrë institucionale dhe me respekt të plotë për përgjegjësinë që mbani, një kërkesë të rëndësishme që lidhet me interesin kombëtar dhe të drejtat themelore të një komuniteti të tërë shqiptar.
Çështja çame, e cila lidhet me dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Çamërisë, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, konfiskimin e pronave dhe mohimin e së drejtës së kthimit, mbetet ende e pazgjidhur dhe e patrajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri–Greqi.
Duke pasur parasysh se Shqipëria është palë aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe aspiron konsolidimin e marrëdhënieve fqinjësore mbi bazën e së vërtetës historike, drejtësisë dhe standardeve europiane, përfshirja e çështjes çame në agjendën e bisedimeve do të përbënte një hap të domosdoshëm dhe të vonuar prej dekadash.
Duke u bazuar gjithashtu në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila parashikon detyrimin e shtetit shqiptar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë, përfshirja e çështjes çame në agjendën e bisedimeve përbën jo vetëm një domosdoshmëri morale, por edhe një përgjegjësi institucionale.
Një trajtim institucional i kësaj çështjeje nuk synon përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por përkundrazi, krijimin e një klime dialogu të sinqertë dhe të qëndrueshëm, në përputhje me parimet mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Europian dhe e drejta ndërkombëtare.
Në emër të përgjegjësisë historike dhe morale të shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të tij dhe pasardhësve të tyre, ju ftoj me respekt që çështja çame të jetë pjesë e agjendës suaj të diskutimit me palën greke.