Rama: Kritika ime për BKH-në ishte etike, jo për armëmbajtjen
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas përgjigjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) lidhur me një episod të përmendur prej tij në podkastin “FLASIM”, ku ai ngriti shqetësime për mungesë etike dhe profesionale nga ana e disa anëtarëve të kësaj strukture.
Në reagimin e tij, Rama sqaroi se kritika e tij nuk kishte të bënte me armëmbajtjen pa leje, por me atë që e cilësoi si “padije etike dhe ligjore”, e cila, sipas tij, i kishte shtyrë disa punonjës të BKH-së të tentonin të hynin në ambientet e Kryeministrisë të armatosur me pistoleta, fakt që vetë BKH-ja e ka pranuar në deklaratën e saj duke u mbështetur në ligj.
Kreu i qeverisë theksoi se, nëse do të bëhej fjalë për një rast të izoluar, ai nuk do ta kishte përfshirë në diskutimin e tij mbi simptomat shqetësuese të “sëmundjeve të vjetra” në organizmat e drejtësisë së re. Sipas Ramës, ky episod është ndër më të lehtët krahasuar me raste të tjera që, sipas tij, tregojnë boshllëqe serioze etike dhe profesionale brenda strukturës së BKH-së.
“Ka ardhur koha për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional”, u shpreh Rama, duke nënvizuar nevojën për të ndarë, siç u shpreh ai metaforikisht, “beben e sapolindur nga ujërat e pistë”, në mënyrë që Reforma në Drejtësi të ketë sukses.
Kryeministri theksoi se garantimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet thelbësor, por paralajmëroi se nuk duhet lejuar që zbatimi i reformës të kthehet në një problem më të madh se vetë sëmundja, duke rrezikuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si edhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë së vendit.
Reagimi i Ramës vjen në një kohë debatesh të shtuara publike mbi funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe standardet etike e profesionale të tyre.
