
Rama për Times Radio: Numri i të burgosurve shqiptarë në Britani, mozaik gënjeshtrash!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Times Radio, iu përgjigj deklaratave të Nigel Farage mbi numrin e të burgosurve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Rama e ftoi Farage të vizitojë Shqipërinë, duke thënë se kjo do t’i jepte atij mundësinë të shihte nga afër realitetin dhe të linte mënjanë “teatralitetin politik”. Kryeministri Rama theksoi se një vizitë në Shqipëri do t’i tregonte bukurinë e vendit dhe mund ta bindte ta konsideronte Shqipërinë si destinacion pushimesh.
Më poshtë intervista e përkthyer për ju nga DritareTv!
Gazetari: Ne kemi të ftuar në një bisedë shumë interesante këtë mëngjes Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, vendi i tij shpesh është në lajme për çështje të lidhura me migracionin ose burgjet, përfshirë një përplasje të fundit me liderin e Reform UK, Nigel Farage. Por zoti Rama ka diçka tjetër, krejt ndryshe, në agjendën e tij aktualisht. Ai ka emëruar një ministër të ri, jo njeri, por krijuar nga inteligjenca artificiale, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar inovacionin në kabinetin e tij. Ai shpreson që kjo do të përshpejtojë procesin e hyrjes së vendit të tij në Bashkimin Evropian. Kryeministri Edi Rama është me ne tani. Kryeministër, mirë se erdhët.
Rama: Mirëmëngjesi! Faleminderit!
Gazetari: Faleminderit juve që jeni me ne. Ndihem sikur duhet të konfirmoj së pari se jeni ju dhe jo një version AI i juaji, nëse kjo do të ishte mënyra se si funksionon qeveria në Shqipëri. Na tregoni pak për ministren tuaj AI. Pse morët këtë vendim?
Rama: Së pari, kurrë nuk do ta dish nëse jam unë apo një version AI-së, por përsa po flasim përmes kanalit zyrtar të kryeministrit, atëherë jam unë. Kemi vendosur ta bëjmë këtë hap të madh sepse duam të përshpejtojmë reformat tona me një ritëm shumë më të lartë. Nuk bëhet fjalë vetëm për reforma digjitale, por për modernizim struktural. Siç them gjithmonë dhe besoj fort, teknologjitë e reja dhe inteligjenca artificiale janë një bekim për vende si Shqipëria, që mund të bëjnë hapa të mëdhenj përmes teknologjisë. Në kohë të progresit linear, do të kishte qenë shumë më e vështirë të kapnim kohën e humbur gjatë dekadave dhe shekujve. Por në kohën e progresit eksponencial, mund të bëjmë ndryshimin. Kjo është ajo që besoj.
Gazetari: Më bën kurioz fakti që mund të ekzistojë një rrezik që ministrja AI, e quajtur Dilla, të tejkalojë njerëzit e qeverisë suaj.
Rama: Ka një potencial shumë të madh për të na e tejkaluar të gjithë ne. Ajo quhet Diella, që në shqip do të thotë diell, një diell që nuk perëndon kurrë. Ajo nuk fle, është e pakapshme, nuk ka interesa personale, nuk ka kushërinj, që janë një çështje e madhe në vendin tonë, siç mund ta imagjinoni. Nuk ka përkatësi partiake dhe nuk i intereson nëse e pushon nga detyra. Është një forcë e jashtëzakonshme lëvizëse. Përtej shakasë, ka një të vërtetë të madhe: si forcë lëvizëse, ajo duhet të na ndihmojë të gjithë të kapërcejmë vështirësitë e ndryshimit. Është e vështirë për çdo politikan jo-AI të bëjë reforma reale dhe të nxisë ndryshime aq shpejt sa mund ta bëjë një ministre AI. Koha është ajo që nuk e kemi. Duket se ka shumë përfitime.
Gazetari: Po, po ju ndjekim me interes të madh.
Rama: Ne ia kemi parë benefitet, janë konkrete. Për shembull, kemi nisur negociatat për anëtarësim në BE. Normalisht, në një botë pa AI, vendet që hyjnë në BE duhet të kalojnë një proces të gjatë: transferimin e të gjithë ligjeve të BE-së në ligjet e tyre. Kjo kërkon ushtri përkthyesish dhe hartuesish. Diella po na ndihmon të përfundojmë këtë proces vetëm me përdorimin e saj.
Gazetari: Pra AI-ja po ndihmon Shqipërinë të hyjë më shpejt në BE?
Rama: Po. Për t’ju dhënë një ide: anëtarësimi në BE përfshin mbi 4,000 ligje dhe nënligje që duhet të transferohen. Imagjinoni punën që kërkohet. Kroacia, që ishte më e suksesshmja, pati nevojë për shtatë vjet. Ne do ta bëjmë këtë në pak më shumë se një vit.
Gazetari: Mund të flasim edhe për numrin e shqiptarëve të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar?
Rama: Nëse shikon burime AI, nuk ka një numër të jashtëzakonshëm që e dallon Shqipërinë nga të tjerët. Kjo është më shumë një perceptim i gabuar, pjesë e propagandës që u përdor për të bindur britanikët të largoheshin nga BE-ja, siç ishte premtimi se do të fitonin miliarda menjëherë për NHS-në. Sot, NHS nuk është më mirë se kur Britania ishte në BE dhe këto 350 miliardë nuk janë parë askund. Kështu që kjo histori me shqiptarët është një gënjeshtër tipike, krijuar për të shkaktuar frikë.
Gazetari: Po bisedat tuaja me politikanë britanikë? Keni folur me Nigel Farage për marrëveshje nëse ai do të bëhej kryeministër?
Rama: Po pres që Nigel të vijë. E kam ftuar publikisht. Ai tha se do të vijë dhe do të jem shumë i lumtur ta pres. Kjo është një mundësi e mirë për të takuar një njeri shumë të zgjuar, dhe gjithashtu për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë dhe për ta bindur ta zgjedhë vendin tonë për pushimet e tij.
Gazetari: Do të dëshironit që Farage të pushonte në Shqipëri?
Rama: Po, sigurisht. Çdokush ka agjendën e vet. Është gjithmonë mirë të bisedosh me njerëz që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës.
Gazetari: Mendoni se ai mund të bëhet kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar?
Rama: Nuk është puna ime të parashikoj. Këtë e vendosin britanikët. Britania është ende një demokraci dhe gjithçka do të ndodhë sipas vullnetit të popullit.
Gazetari: Sa për marrëveshjet për qendrat e kthimit me kryeministrin aktual, Sir Starmer, çfarë mendoni?
Rama: Le të kthehemi te gjërat reale, te jeta reale, te numrat realë, sepse sot, numrat dhe faktet po bëhen gjithnjë e më shumë çështje opinionesh, emocioni dhe besnikërie ndaj udhëheqësit që flet për to. Ka fakte të ndryshme, ashtu si ka dhe parti të ndryshme. Por le të harrojmë këtë për një moment dhe të shohim faktet e vërteta. Ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme së bashku me disa qeveri britanike, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale dhe numri i shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në një nivel të papërfillshëm. Pra, nuk ka fare diçka të tillë.
Nga ana tjetër, më lind një pyetje: nëse kjo do të jetë qasja e Mbretërisë së Bashkuar, ku dreqin do t’i gjejnë njerëzit që të ndërtojnë shtëpitë, ata që shërbejnë kafe, shoferët e taksive, shoferët e kamionëve dhe kështu me radhë? Kjo nuk është pyetje që duhet t’i përgjigjem unë, është pyetje për politikanët britanikë.
Gazetari: Ju e ftuat z.Farage të vizitonte Shqipërinë për pushime. Edhe ndërkohë që flasim, kemi dëgjues që kontaktojnë programin tonë duke thënë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për të shkuar për pushime. Madje kemi dëgjuar referenca për Rivierën Shqiptare.
Rama: Shqipëria nuk është thjesht e bukur; është më e bukura sot në Evropë.jo. Nuk po them se është më e bukura sepse është më e bukur se Italia, Greqia apo Spanja dhe të gjitha këto vende të mrekullueshme, por është më e bukura sepse ka ende shumë natyrë të paprekur, të pashkatërruar dhe ka ende shumë nga Evropa Mesdhetare siç ishte dikur, kur jeta ishte më relaksuese. Kjo është arsyeja pse po them që është më e bukura, dhe jam i sigurt që, si konservator apo si të doni ta quani, z. Farage do t'i duket mahnitëse, sepse për të, e shkuara është më e mirë se e ardhmja. Pra, Shqipëria do ta ndihmojë edhe të përjetojë një shije të veçantë të Evropës.
Gazetari: Faleminderit shumë, kryeministër.
Rama: Faleminderit./K.C/dritare.net

















