
Rama paralajmëron masa represive për ndërtuesit abuzivë: Listë të zezë për ata që shkelin lejen
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të forta ndëshkuese ndaj ndërtuesve që nuk zbatojnë projektet dhe lejet e ndërtimit në mënyrë të përpiktë. Gjatë një aktiviteti me përfaqësues të industrisë së ndërtimit, Rama u shpreh se mbështetja që po u ofrohet këtij sektori do të shoqërohet me një regjim të rreptë kontrolli dhe përgjegjësie.
“Ne po hapim dyer të reja për industrinë e ndërtimit, për prezantimin në panaire ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme dhe për të tërhequr investitorë seriozë, por kjo kërkon garanci dhe standarde. Ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat do të përjashtohen nga tregu,” – deklaroi Rama.
Një nga masat kryesore të paralajmëruara është krijimi i një liste të zezë për ndërtuesit që shkelin lejet dhe projektet, të cilët nuk do të kenë më mundësi të marrin leje ndërtimi në të ardhmen.
Gjithashtu, të gjitha kantieret e ndërtimit do të pajisen me kamera sigurie me monitorim 24 orë, si pjesë e një sistemi të ri kontrolli dhe transparence.
“Kjo nuk është vetëm një masë ndëshkimi, por edhe një ndihmë për vetë kompanitë për të ndjekur punimet dhe për të rritur sigurinë në kantiere,” – shtoi Kryeministri.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në vitet në vijim, Shqipëria do të intensifikojë pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare të real estate, për të promovuar projektet më të mëdha dhe për të tërhequr investime të huaja, por paralelisht, kërkoi përkushtim maksimal nga ndërtuesit në zbatimin korrekt të çdo detaji të projektit.
“Nuk mund të ndërtojmë me blerës të rastësishëm e shitje në gropë. Nëse s’japim garanci, humbasim një shans historik,” përfundoi Rama.
Këto masa vijnë në një kohë kur sektori i ndërtimit në Shqipëri po përjeton një bum zhvillimi, por edhe shqetësime të shumta mbi abuzimet me projektet, mungesën e transparencës dhe sigurisë në kantiere./L.F-dritare.net

















